Arbëri

Salihu skeptik për Tribunalin, tregon si do të mund të gjykoheshin serbët për krime në Kosovë

Iniciativa për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar që do të ndëshkonte krimet që kanë kryer forcat ushtarake paramilitare policore të Serbisë në Kosovë, ndonëse është qëllimmirë, vlerësohet se është vështirë e realizueshme, e ndërlikuar dhe thuajse e pamundur.

Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale, në Intervistën e Javës në Koha.net, thotë se për të pasur sukses kjo iniciativë duhet angazhuar mekanizmat më relevantë ndërkombëtar siç janë, Bashkimi Evropian, OKB-ja e Këshilli i Sigurimit, por këto institucione ndërkombëtare, posaçërisht OKB-ja, nuk do ta përkrahte. Megjithatë, Salihu ka propozuar një rrugë më të lehtë që do t’i lehtësonte gjykimet e atyre që kryen krime në Kosovë. Thotë se patjetër duhet të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit me të cilin është themeluar Gjykata Speciale. Ky është neni 6 që sipas tij, duhet të amandamentohet. Aty thuhet se duhet gjykuar krimet e “PRETENDUARA” nga serbët në Kosovë, e kjo duhet ndryshuar për t’u kthyer në krime të kryera në Kosovë.

“Nga iniciativa s’duhet të hiqet dorë që të gjenden mënyrat që kryerësit e këtyre krimeve masovike ndaj popullatës së pafajshme shqiptare të ndëshkohen. Të gjithë ata kriminelë nuk është e mundur të ndëshkohen, kjo s’ka ndodhur në asnjë luftë, por të ndëshkohen një numër i konsiderueshëm i tyre. Ne duhet t’i mbledhim të dhënat e duhura, faktet, provat, sepse asnjë gjykatë ndërkombëtare, as ajo vendore, s’mund të gjykojë në bazë të një kërkese apo dëshire. E në këtë aspekt, ne në Kosovë kemi dështuar”, tha Salihu.

Sqaron gjithashtu se pse Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk do ta përkrahte themelimin e këtij Tribunali.

“OKB-ja vështirë që do ta përkrah këtë Gjykatë sepse aty janë edhe interesat politike, janë edhe shtetet që jo vetëm që s’na kanë njohur si shtet por kanë edhe qasje jo të mirë ndaj neve, është Rusia, Kina, të cilat apriore do ta kundërshtonin këtë”, tha Salihu.

Salihu në këtë intervistë shpjegon vështirësitë në krijimin e kësaj gjykate, mundësitë që do ta lehtësonin krijimin e saj, e gjithashtu, dështimet që ka pala kosovare dhe numrin e vogël të prokurorëve që pretendohet të hulumtojmë në faktimin e krimeve serbe.

“Të paktën 2-3 vjetët e ardhshme duhet të punojmë intensivisht në mbledhjen dhe administrimin e provave. E kam thënë edhe në mbledhjen që e inicioi kryeparlamentari Kadri Veseli, në këtë Kosovën tonë janë emëruar dy prokurorë për hetimin e këtyre krimeve. Kjo është e pamundur, këta dy prokurorë s’mund të mbledhin prova edhe 20-30 vitet e ardhshme. Kam propozuar që në 7 regjione në Kosovë ku ka Gjykata Themelore duhet të emërohen së paku nga 2 apo 3 prokurorë, që i bie gjithsej të emërohen 20-25 prokurorë dhe secili të ketë ekipin e hetuesve e policëve, dhe të punohet sistematikisht në mbledhjen e të dhënave e më pas të themelohet kjo Gjykatë. Kjo është mundësia e parë nga e cila s’duhet të hiqet dorë. Por, nëse nuk arrihet kjo, ne duhet të ndalemi në Gjykatën e cila veç është themeluar nga Parlamenti i Kosovës, me ligjin e Kosovës”, tha ai.

Por në anën tjetër, përmend një nen të ligjit për këtë Gjykatë Speciale që sipas tij, duhet të amandamentohet se aty, thuhet se mund të gjykohen vetëm “krimet e pretenduara”.

“Kjo Gjykatë që është themeluar në dispozitat e nenit 6 të ligjit për themelimin e kësaj gjykate, thotë shprehimisht që Gjykata Speciale që është themeluar për krimet e pretenduara nga raporti i Dick Martyt, raport që është aprovuar në Këshillin e Evropës. Ka kompetenca që të gjykojë vetëm krimet e pretenduara në këtë raport, ndërsa ai është përpiluar në 42 faqe dhe në asnjë faqe, në asnjë fjali nuk ceken krimet e kryera nga ana e serbëve, vetëm ceket, si pretendim, se kjo Gjykatë do të gjykojë kryerësit e krimeve të pjesëtarëve të UÇK-së, ku përmenden edhe emrat më eminent që tani janë në pushtet e që duhet të nxirren para gjykatës”, tha Salihu.

Ai kritikon institucionet e Kosovës dhe thotë se është bërë një gabim i madh kur është shqyrtuar ky ligj.

“Është bërë lëshim i madh nga ana jonë me rastin e shqyrtimit dhe aprovimit të këtij ligji për themelimin e kësaj gjykate. Por e them sepse ky ligj është përpiluar nga ekspertë ndërkombëtarë dhe asnjë jurist i Kosovës nuk e ka pasur në dorë. Do të ishte ideale kjo Gjykatë Speciale e cila është e themeluar, po të mos ekzistonte neni 6 i cili kufizon juridiksionin e kësaj gjykate vetëm krimet e ‘pretenduara’ nga ana e serbëve”, tha ai.

Salihu, që njëherësh është ish-drejtor në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, shprehet optimist se kryerësit e krimeve në Kosovë mund të gjykohen lehtë nëse në Kosovë punohet, por, e ka quajtur ironi mbylljen e këtij instituti.

“Për të qenë ironia më e madhe e kanë mbyllur këtë Institut, është themeluar në qershor të 2010-s, aty kemi pasë kushtet minimale por kemi bërë shumë punë. Kemi hulumtuar vrasjet, kemi librat për çdo vrasje. Kemi kryer studim për personat e pagjetur. Janë botuar libra për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, kemi bërë hulumtime për lokacionet ku janë abuzuar femrat tona dhe bëmë planin që të vazhdojnë hulumtimet edhe të llojeve tjera të krimeve por nuk na mundësuan që të vazhdojmë punën, nuk na lejonin as të kemi hulumtues në terren. Ky institut ishte nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë dhe për të qenë ironia më e madhe, në korrik të 2018-s nën pretekstin e reformimit të shërbimeve të dikastereve të kësaj ministrie, institutin e mbyllën dhe do të shndërrohet në departament për drejtësinë tranzicionale. Ky departament duhet të fillojë tash punën ku do të punësohen vetëm 6 veta, 3 prej tyre do të hulumtojnë krimet e luftës e 3 prej tyre në suportin e krimeve të rëndomta”, tha ai.

Salihu thotë se ky Institut, duhet të rihapet urgjentisht dhe duhet të ketë përkrahje maksimale ku së paku 15 persona do të duhej të punonin.

“A do të rihapet, varet nga këta që janë në pushtet. Nëse nuk arrijmë t’i zbulojmë, t’i evidentojmë e botojmë këto krime ne do të bënim krim të sërishëm ndaj familjarëve të viktimave, dhe për këtë mospunë, Serbia nuk është fajtore, por do të jemi vet ne”, tha Salihu.

Salihu vlerëson se në Kosovë, nuk është bërë mjaftueshëm për zbardhjen e krimeve të luftës që edhe të gjykohen kriminelët serbë. Në këtë rast, ai thotë se më shumë punë kanë bërë ata që kanë qenë të entuziazmuar të zbulohet e vërteta, veprimtarët, shoqatat etj.

“Në aspektin shtetëror, kemi dështuar, me vet faktin se deri tash, deri tash çdo krim është dashur ta kemi pasur të evidentuar e të faktuar me prova. Kam propozuar një rrugë më të drejtë e më pragmatike për këtë. Të nis procedura për amandamentimin e ligjit me të cilin është themeluar Gjykata Speciale. Këtë po e them sepse kjo gjykatë u themelua, ka nisur edhe thirrjen për intervistime. Duhet të bëhet plotësim-ndryshimi i këtij ligji sepse Kuvendi i Kosovës e ka nxjerrë këtë ligj dhe ka të drejtë ta amandamentojë. Është neni 6 që duhet të amandamentohet dhe të thuhet se kjo gjykatë ka kompetencë t’i gjykojë të gjitha krimet e kryera në territorin e Kosovës, dhe jo të kufizohet me, vetëm krimet e pretenduara. Kjo do të ishte gjykatë normale dhe e pranueshme edhe për neve. Në nenin 8 thuhet se kjo gjykatë do të ketë juridiksion t’i gjykojë të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë. Por neni 6 që është fundament bazë i përjashton këto krime të kryera nga pala serbe”, tha Salihu.

Ai gjithashtu në fund tha se opinioni duhet ta dijë se kjo gjykatë, nuk e ka mandatin vetëm gjatë luftës 88’99, por edhe deri në fund të vitit 2000. Pra 18 muaj gjatë luftës dhe 18 muaj pas luftës, pas çlirimit të Kosovës.