Kryeziu: Pa i kryer detyrat e shtëpisë nuk mund të trokasim në dyert e BE-së

Kryeziu: Pa i kryer detyrat e shtëpisë nuk mund të trokasim në dyert e BE-së

09 May 2019 23:56

Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK tha se institucionet e vendit duhet t’i rikthehen punës për të treguar gatishmëri në procesin e integrimit evropian.

Sipas tij, një e treta e planit të MSA-së vitin e fundit nuk ka arritur të implementohet.

Ai në “Interaktiv” të KTV-së, tha se Kosova ka ngecur në zbatimin e reformave të MSA-së dhe se pa i kryer detyrat e shtëpisë nuk mund të trokasim në dyert e Bashkimit Evropian.

“Duhet me pa vetën në pasqyrë këta udhëheqës dhe me kuptu që nuk janë mirë, duhet me i pa dhe i dëgjua shtetet e BE-së kur thonë se duhet të sundoj rendi dhe ligji”, ka thënë ai.

Ndërkaq për liberalizimin e vizave, Kryeziu thotë se ky proces është politizuar për të marrë poena politike.

Sipas tij procesi i vizave është tortura më e madhe që i është bërë qytetarëve të Kosovës.

“Ajo që ata mund të bëjnë është të na kursejnë nga deklaratat javore dhe urimet për liberalizim që po i torturojnë qytetarët e vendit. Rezoluta e Parlamentit Evropian thotë se Kosova është shtet i kapur nga krimi dhe korrupsioni, raporte të ndryshme e thonë këtë. Për dy vite e kemi bërë një analizë ku nuk ka pasur asnjë rast të gjykimit të krimit dhe korrupsionit”, ka thënë ai.

Sipas tij profilet e larta politike të vendit kanë ndikim në sistemin gjyqësor të vendit, dhe kjo sipas tij është kapja e drejtësisë.

Ai thotë se Kosova ka dhënë shembuj negativ në luftimin e krimit dhe korrupsionit, duke mos e plotësuar kushtin e fundit për liberalizim.

“Pa e luftuar krimin e korrupsionin është vështirë me marrë liberalizim e aq më pak të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian. Ne nuk mund të trokasim në dyert e Bashkimit Evropian pa i kryer detyrat e shtëpisë. Ajo që mund të bëjnë politikanët është të jenë të heshtur në këtë kohë, të bëjnë diçka në kuadër të obligimeve që i kemi nga BE-ja”, ka shtuar ai.

Kryeziu është shprehur pesimist se liberalizimi do të ndodhë këtë vit.

“Skenari më pozitiv do të ishte fundi i këtij viti me pas një vendim, mirëpo a do të jetë fundi i këtij viti apo i vitit të ardhshëm nuk e dimë. E kemi suprizuar për të keq Bashkimin Evropian dhe kjo do të na kushtojë”, tha ai.

Ndërkaq Samitin e Berlinit, ai e ka cilësuar si momentum pozitiv i cili ka përcaktuar parimet e reja të dialogut.

“Franca dhe Gjermania kanë rol kyç në këtë proces, dhe kanë reaguar kur e kanë parë që Mogherini ka dalë jashtë kompetencave të saj. Dialogu është marrë në dorë të dy shteteve të rëndësishme të BE-së”, ka thënë ai,

Kryeziu ka thënë se dialogu duhet të kthehet në binarët në të cilët ka nisur në vitin 2011, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se ideja për shkëmbimin e territoreve është ide serbe, dhe për këtë askush nuk ka dilema.

“Borko Stefanoviq e ka thënë qysh në fillim të dialogut se qëllimi jonë është ndarja e Kosovës”, ka thënë ai.

“Unë mendoj se kjo ide duhet të vdesë. Zgjidhja duhet të bëhet brenda territorit të Kosovës. Mund të bëhet Asociacion, por vetëm sipas parametrave të Kushtetutës”, ka thënë ai.

E kjo ide, sipas Kryeziut, nuk përmbush as kriteret e letrës së Trumpit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Veri10/05/2019 15:12

Pak vone ju ka dal gjumi se problemet e veta duhet mi kry njeri per me pas drejt mu anku

Shto koment

Të ngjashme