Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova kurrë më herët s’i ka pasur marrëdhëniet e mira sikur tash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjenerali i Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr, është duke qëndruar në Kosovë për herë të parë pasi kishte anuluar vizitën në fillim të vitit. Ai e kishte anuluar vizitën për shkak se Kosova kishte refuzuar të hiqte taksën ndaj Serbisë, siç kishte kërkuar SHBA-ja. Tani Haradinaj i pyetur në konferencën për media lidhur me këtë vizitë, ka thënë se s’ka pasur asnjëherë lëkundje të marrëdhënieve Kosovë – SHBA.
“S’kemi pas asnjëherë lëkundje marrëdhënie me Amerikën. Vendimi i ardhjes është çështje e kohës. Këtu ju kam thënë se s’do të dobësohen marrëdhëniet. Kurrë më të mira s’kanë qenë. Punojmë në të gjitha fushat bashkë. Gjenerali Orr është mik i Kosovës. Tetë vjet është në shërbim Kosovë – Gardë Kombëtare e Iowas”, ka thënë Haradinaj.
Lidhur me deklarimet e fundit të politikanëve serbë për kufijtë, Haradinaj ka thënë se kjo është ide e shekullit të kaluar.
“Ideja e kufijve, e Vuçiqit, e Daçiqit, kushdo qoftë, është qe një shekull. Qe një shekull ata gatuajnë idetë për ndarje të tokave shqiptare. Është brez tjetër. Mund të bëjnë cilësime, por s’mund të ngritin më kufij në Ballkan. Kushdo që shkon rrugës së kufijve, ka për t’u varros keq politikisht”, ka thënë Haradinaj.
Sa i përket raportimeve se Haradinaj ishte kritikuar ashpër nga presidenti francez Emmanuel Macron në Samitin e Berlinit, kryeministri i Kosovës ka thënë se ata që po japin deklarime të tilla as që e kuptojnë frëngjishten, gjuhë me të cilin thotë se kishte komunikuar me liderin francez.
“Edhe unë i kam pa do prononcime mediatike. Po flasin ata që kanë qëndruar në korridore. Fillimisht kam folur frëngjisht me Macronin e ata nuk e besoj që e dinë. Ishte shumë i respektuar. Kemi kaluar më mirë se që mendojnë tjerët. Ata që po flasin nga korridoret, që s’dinë as frëngjisht le të flasin. Janë nervozë e kuptoj, por s’kemi çka ju bëjmë”, ka shtuar ai.
Lidhur me këndimet e shpeshta që po i bën Haradinaj në paraqitjet publike, ai ka thënë se këngën e ka filluar në luftë. Sipas tij, e kishte shfrytëzuar gjithmonë këngën “Kah po shkon moj zanë” në vend alarmi për t’i zgjuar ushtarët nga gjumi.
“Të gjithë ushtarëve u pengonte kjo këngë, e kishin shumë mërzi. Të gjithë ktheheshin në krah e më shanin e bërtitnin”, ka thënë Haradinaj.