Ritheksohen dallimet në Berlin Foto: Reuters

Ritheksohen dallimet në Berlin

Fitim Gashi Fitim Gashi 30 April 2019 08:09

Dallimet mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të ndryshimit të kufijve në Ballkan janë ritheksuar edhe në Samitin e Berlinit të hënën.

Me gjithë përpjekjet e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe të presidentit francez, Emanuel Macron, për të imponuar unitet mes liderëve të rajonit, dallimet e mëdha janë shfaqur para, gjatë dhe pas samitit.

Ka pasur dallime mes Kosovës dhe Serbisë për dialogun, dallime brenda Bashkimit Evropian, por edhe dallime brenda udhëheqësve kosovarë, shkruan sot Koha Ditore.

Haradinaj ka përsëritur ruajtjen e kufijve të 17 Shkurtit në dialog me Serbinë, derisa Thaçi ka thënë se angazhohet që Luginën t’ia bashkëngjitë Kosovës. Kryeministri është përballur sërish me kërkesën për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, për të rifilluar negociatat. Por Haradinaj ka thënë se njohja është pika fillestare për zhbllokimin e nyjave të tjera. Kosova nuk ka marrë sinjale se do të ndodhë liberalizimi i vizave në një të ardhme të afërt, me gjithë lutjet e liderëve kosovarë që të vihet në lëvizje vendimmarrja e Bashkimit Evropian.

Pritjet dhe epilogu

Takimi i thirrur nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron në Berlin me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk i ka prodhuar rezultatet e synuara. Darka mes liderëve ka zgjatur përtej parashikimeve, për shkak të insistimit të Merkelit dhe Macronit që të ketë dakordim të palëve për avancim të Ballkanit, veçmas në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova në samit është përfaqësuar nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj. Aty ka qenë edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Pranë tyre ka zënë vend delegacioni nga Shqipëria, me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Gent Cakaj. Në anën tjetër, përballë delegacioneve nga Kosova dhe Shqipëria ka qenë ekipi i Serbisë me presidentin Vuçiq dhe me kryeministren Ana Bërnabiq. Pas takimit formal dhe darkës ka folur presidenti Thaçi. E ka quajtur të rëndë takimin në Samit, derisa ka pranuar se nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret për Kosovën. Sipas tij, paqartësia rreth vendimmarrjes së Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën është konfirmuar edhe aty.

“I kemi implementuar të gjitha kriteret e nevojshme dhe nëse diçka e tillë nuk ndodh në një të ardhme të afërt, do të ketë zhgënjim të madh. Pati edhe sonte paqartësi për këtë çështje”, ka theksuar Thaçi, pas mbylljes së Samitit. Sa i përket dialogut me Serbinë, presidenti ka konfirmuar zotimin e Kosovës për fqinjësi të mirë dhe normalizim të raporteve me Serbinë.

“Ishte konstatim i të gjithëve se ky problem duhet të tejkalohet, dhe se nuk do të ketë dialog të kushtëzuar. Gjithashtu diskutuam edhe për mundësitë se si të lëvizet më shpejt dhe më mirë, dhe kërkova që të mos ketë dallime nga shtetet e BE-së”, ka thënë Thaçi.

Ai ka përsëritur se angazhohet që Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit t’i bashkohet Kosovës.

“Serbia duhet të njohë Kosovën pa kushte, dhe dialogu duhet të fillojë e të vazhdojë pa kushte. Shpresoj në unitet të BE-së. Edhe shtetet e rajonit mbështetën procesin që kemi kaluar. Në çdo rrethanë Kosova do të mbetet multietnike, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, gjithmonë duke bërë përpjekje maksimale për përfshirjen e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas tij, takimi i radhës do të ndodhë më 1 korrik në Paris, një format ky joformal që nuk e zëvendëson Procesin e Berlinit.

Para se të nisë Samiti, presidenti Thaçi e ka quajtur të dobët Bashkimin Evropian, teksa ka folur për domosdoshmërinë që në fazën përfundimtare të dialogut të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara. Thaçi në Berlin është paraqitur me qëndrim ndryshe për taksën ndaj mallrave serbe dhe boshnjake. Derisa në Prishtinë presidenti kishte akuzuar Haradinajn se po e rrezikon partneritetin me SHBA-në, duke e mbajtur në fuqi këtë masë, të hënën ai ka thënë se taksa është e ligjshme dhe se Serbia nuk duhet të vendosë kushte për t’u rikthyer në tryezën e negociatave.

Fjalim në Samit ka mbajtur edhe kryeministri Haradinaj. Ai ka kërkuar që Serbia ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë, që do të nënkuptonte tejkalimin e të gjitha pengesave rreth progresit në dialog. Sipas tij, nëse kjo përmbushet më nuk do të ketë as barriera tregtare.

“Është e qartë se ne nuk mund të ecim përpara derisa të pranojmë të vërtetën mbi të kaluarën dhe realitetin e së tashmes. E vërteta e së kaluarës është se Kosova pësoi mizori dhe ne duhej të fillonim nga zeroja. Realiteti i së tashmes është se Kosova tani është një shtet i pavarur - si dhe është duke shënuar progres politik, ekonomik dhe social. Ky është realiteti që duhet të pranojmë për të ecur përpara. Serbia duhet ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

“Njohja është pika fillestare për progres: nuk është pika përfundimtare. Pa njohje reciproke dhe respekt të ndërsjellë nuk mund të ketë progres. Njohja do të nënkuptojë tejkalimin e të gjitha pengesave tjera të progresit. Për shembull, nuk do të ketë nevojë për barriera tregtare, nga asnjëra palë. Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues”.

Sipas Haradinajt, kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një vale të re të ndarjes etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës.

“Ne kemi nevojë për unitet, jo për ndarje. Ne kemi nevojë për të hapur kufijtë tanë, dhe jo për të krijuar kufi të rinj. Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës kanë mandatuar një platformë kombëtare, si dhe delegacionin për fazën përfundimtare të procesit të dialogut me Serbinë, i cili do të rezultojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme për njohje reciproke”, ka theksuar ai.

Teksa ka falënderuar Gjermaninë për mbështetje ndaj Kosovës, Haradinaj ka ftuar këtë shtet që të vazhdojë të mbrojë të drejtën e Kosovës për shtetësi e integritet territorial.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pas bisedimeve disaorëshe në kuadër të Samitit nuk është i kënaqur me “status quonë”.

“Do të dëshiroja që të fillonim dialogun, sepse ai është garancia e vetme për stabilitet”, ka deklaruar Vuçiqi.

Ai ka thënë të kenë kërkuar heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, e cila e ka bllokuar dialogun mes dy vendeve që nga nëntori i vitit të kaluar. Kur gjatë ditës është pyetur për idenë e ndryshimit të kufijve, presidenti serb ka ironizuar duke thënë se “nuk e kam të qartë për cilët kufij flasim - ata që i njeh Gjermania apo ata që i njeh Greqia”. Greqia është ndër pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.

Nikoqirët e takimit, Merkel dhe Macron, kanë folur vetëm në fillim të Samitit.

Ka munguar një deklarim i tyre pas përfundimit të tij. Kancelarja gjermane ka porositur që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “të mos bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.

Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se nuk është qëllimi i tyre të imponojmë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën. “Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë të gjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon, të cilat mund të ndodhin për shkak të opsioneve që janë në tryezë”, ka thënë Macron.

Merkel dhe Macron kanë përmendur Marrëveshjen për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, si një shembull të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit.

Haradinaj kundërshton idenë e shkëmbimit edhe në takim me ambasadorin amerikan

Para Samitit udhëheqësit e Kosovës janë takuar edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se në takimin me ambasadorin ia ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës e kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve me Serbinë.

Haradinaj shton se ka shprehur “përkushtimin e Kosovës për dialogun me Serbinë, për konsolidimin e ekipit negociator të vendit dhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshjeje që rezulton me njohje reciproke”.

“Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opsion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin, por edhe rajonin. Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend, në fushën e sundimit të rendit dhe të ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euroatlantike”, ka shkruar Haradinaj, teksa në fund ka shtuar se “roli i ShBA-së në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm!”

Edhe presidenti Hashim Thaçi e ka quajtur të rëndësishëm takimin me Grenellin. Sipas tij, roli i SHBA-së ka qenë dhe mbetet vendimtar për Kosovën, shkruan Koha Ditore.

“Për Republikën e Kosovës është shumë i rëndësishëm koordinimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para nisjes së Samitit të Berlinit, një takim me rëndësi kishim edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Roli i SHBA-së ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë vendimtar për ne. Jemi të bekuar me mbështetjen e SHBA-së!”, ka shkruar ai.

Para Samitit presidenti Thaçi bashkë me zëvendëskryeministrin Pacolli kanë zhvilluar një takim bilateral me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini. Por aty ka munguar kryeministri Haradinaj, i cili në disa raste ka akuzuar Mogherinin se e ka mbytur dialogun e Brukselit, duke u hapur rrugë diskutimeve për shkëmbim territoresh.

VV-ja proteston në Berlin kundër bosnjëzimit të Kosovës

Disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani kanë protestuar para takimit të liderëve të Kosovës në Samitin e Berlinit.

Ata në duar kanë mbajtur parulla si: “Stop bosnjëzimit të Kosovës”, “Rreziku nga Zajednica” , “Stop padrejtësive ndaj shqiptarëve që nga viti 1878”, “Stop eksperimenteve me Republikën e Kosovës”, dhe një tjetër që i dedikohet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku shkruante “Kali i Brojës”.

Salih Abazi, aktivist i VV-së në Gjermani, ka thënë për KTV-në se arsyeja e kësaj proteste është moslejimi i marrjes së vendimeve për Kosovën nga një president që “ka punuar për Milosheviqin”, duke iu referuar presidentit Serb, Aleksandar Vuçiq, dhe nga një president i zgjedhur me dhunë, duke iu referuar Thaçit.

“Nuk mund të lejojmë që të vendosin për Kosovën një president që ka punuar për Milosheviqin dhe një president kriminel (Thaçi), që është zgjedhur me dhunë president”, ka thënë Abazi.

Haradinaj qorton zyrtarët e Ambasadës në Gjermani

Për të hyrë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Gjermani, kryeministrit Haradinaj i është dashur të kalonte nëpërmjet radhës së shtetasve të Kosovës, të cilët prisnin për të marrë shërbim aty. Kjo i ka penguar kryeministrit, që ka refuzuar të vazhdojë takimin përderisa dikush prej zyrtarëve të Ambasadës nuk merret me palët.

“Këto praktika nuk duhet të ndodhin asnjëherë, as në emër të takimeve t’i lini punët pa përfunduar, qoftë edhe me mua”, ka thënë Haradinaj, teksa i ka kërkuar konsullit të largohet nga takimi dhe t’u bëjë zgjidhje qytetarëve.

“Si të duket me pritë fëmijët e tu jashtë”, është dëgjuar duke kritikuar kryeministri zyrtarin e Ambasadës.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme