Arbëri

Vala dhe IPKO nuk i braktisin kodet e vjetra telefonike

Descriptive Text

Operatorit telefonik, Vala, mund t’i rikthehen gjobat për shkak të shfrytëzimit të kodit të vjetër telefonik, përkatësisht +377. Për të njëjtën arsye, gjobat mund t’i vazhdohen edhe operatorit tjetër, IPKO, e cila kompani nuk e ka respektuar afatin ligjor për defunksionalizimin e kodit të vjetër.

Zyrtarët e të dy operatorëve në vend, Vala dhe IPKO, e kanë pranuar se po vazhdojnë komunikimet telefonike nëpërmjet kodeve të vjetra, ndërsa drejtuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) kanë thënë të mos jenë në dijeni të shkeljes së ligjit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Operatori Vala ka njoftuar në muajin shkurt përmes njoftimeve dërguar klientëve me SMS, por edhe përmes fushatave të ndryshme, se kodi i vjetër i këtij operatori nuk funksionon as në trafikun ndërkombëtar e as në atë vendor, por, megjithatë, thirrjet nga operatori tjetër, IPKO në drejtim të Valës, sipas testeve, mund të realizohen ende me +377.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka thënë të jetë befasuar me këtë informatë. Fillimisht ai ka thënë për “koha.net” se mund të jetë problem teknik që ka mundur të ndodhte në centralet e këtij operatori. Dyshonte se thirrjet nga IPKO në Vala kanë mundur të jenë realizuar në kohën kur një ekip i inxhinierëve ka qenë duke punuar në një regjion e pastaj për arsye teknike janë aktivizuar thirrjet me Kodin +377.

“Ne i kemi dy centrale, një e kemi në Prizren, një në Prishtinë. Në pjesën e centralit të Prizrenit një ekip ka qenë duke punuar dhe gjatë procesit të punës ka ndodhur që ka afektuar një regjion. Regjioni Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë ka afektuar që thirrjet janë aktivizuar, mirëpo fati më i madh ka qenë se ka pasur mundësi të realizoheshin vetëm thirrje lokale, ndërsa thirrjet ndërkombëtare, pra të tentosh të thërrasësh në numra të Valës nga jashtë është e pamundshme”, ka thënë ai.

Istrefi, pas bisedës së parë ka kontaktuar sërish me “koha.net”, për të dhënë të tjera hollësi. Ka treguar se si ndërkohë ka biseduar me ekspertët e Valës, dhe nga vlerësimet e tyre është kuptuar se “fajin” për mundësinë e realizimit të thirrjeve nga IPKO në Vala me kodin +377 e ka IPKO.

“Konsumatori i IPKO-s na thërret neve me kodin +377 për arsye se IPKO i ka hapur rutat për të thirrur me +377 në trafik kah Vala. Pra, faji direkt bie mbi ta për shkak të mosimplementimit të kodit vendor, që e kemi obligim ligjor prej ARKEP-it”, ka deklaruar Istrefi. Ka thënë se do të kërkojnë nga IPKO që të ndalet kjo rutë e trafikut.

Akuzat e tij i kanë hedhur poshtë zyrtarë të IPKO-s.

Zyrtarja për komunikim me publikun e kësaj kompanie, Edona Zogu, ka mohuar që është në dorën e tyre mbyllja e kodit telefonik të një operatori tjetër, në këtë rast kodit +377 të Vala-s. Ajo ka theksuar se klientët e IPKO-s nuk do të mundë të realizonin thirrje nëse kodi i vjetër i Valës do të ishte çaktivizuar nga Vala.

“Secili operator është përgjegjës për sjelljet e veta. Klientët e IPKO-s nuk do të mund të realizonin thirrje në asnjë kod, nëse ai kod do të ishte tërësisht i çaktivizuar në rrjetin në të cilin realizon thirrjen, në këtë rast në Vala”, thotë ajo për Koha.net.

Ndërkaq për mbajtjen e kodit +386, Zogu ka thënë se mbyllja e tij në këtë moment do të dëmtonte klientët duke ua pamundësuar komunikimin me personat që janë jashtë vendit.

“Mbyllja e kodit +386 për thirrjet ndërkombëtare hyrëse në këtë moment do të nënkuptonte afektimin e disa prej klientëve tanë dhe si rrjedhojë nuk do të mundë të lidheshin me më të dashurit e tyre që jetojnë jashtë vendit. Për ne është e një rëndësie të veçantë që klientët tanë të mbeten të paprekur nga ky proces dhe të qëndrojnë të lidhur me botën”, ka thënë ajo, duke shtuar se IPKO e ka filluar përdorimin e kodit të ri qysh në vitin e kaluar, duke migruar tërësisht në +383, ndërsa ka theksuar se kompania përdor paralelisht të dyja kodet, +383 dhe +386.

Zogu ndër të tjera ka thënë se të gjitha gjobat e marra nga ARKEP-i janë trajtuar dhe procesuar në përputhje me kushtet e vendosura në faturë.

Për funksionimin e kodit +377 nuk ishte në dijeni as kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi. Për Koha.net, ai ka thënë se në verifikimin e fundit që ata e kanë bërë ka rezultuar se nga asnjë operator nuk mund të bësh thirrje me kodin e Monakos (+377), derisa la të hapur mundësinë që Vala të gjobitet përsëri për vazhdimin e aplikimit të këtij kodi.

“Nëse Vala e ka ende në funksion kodin +377, do të dënohet, megjithatë në testimin e fundit që ka ndodhur nga ana jonë, kodi +377 nuk ka qenë funksional”, ka theksuar ai.

Gashi ka thënë se që nga 15 janari, ARKEP-i ka filluar me shqiptimin e gjobave për operatorët të cilët vazhdojnë të përdorin kodet e huaja. Sipas tij, me 10 mijë euro është gjobitur Vala për muajin janar për shkak të mos-heqjes nga përdorimi të kodit të vjetër në bazë të marrëveshjes, ndërkaq deri më tani me 40 mijë euro është gjobitur operatori IPKO, për shkak se, sipas tij, ende nuk e kanë hequr kodin e vjetër +386.

Gashi ka shtuar se nëse këta operatorë do të vazhdojnë të përdorin kodet e huaja, gjobat do të rriten në vazhdimësi.

“IPKO e ka përcaktuar datën 1 qershor si afat të kalimit në kodin +383 dhe implementimin e fazës tjetër që nënkupton pavarësi të plotë prej Sllovenisë. Ne nuk kemi hequr dorë nga vendimi ynë që prej vënies së tij më 15 janar, dhe nëse e shohim se nuk do të hiqet dorë nga kodet e vjetra, ato dënime vetëm do të rriten”, ka deklaruar Gashi për “Koha.net”.