Tahiri: Vuçiqi i angazhuar për të mohuar dhe fshehur krimet e Millosheviqit

Tahiri: Vuçiqi i angazhuar për të mohuar dhe fshehur krimet e Millosheviqit

27 April 2019 13:43

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në Ditën për Personat e Zhdukur, ka kërkuar edhe njëherë nga shteti i Serbisë që të hap arkivat e veta dhe të tregoj për fatin e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë.

“Për njëzet vite me radhë, qytetarët tanë dhe familjet e të pagjeturve në Republikën e Kosovës jetojnë në ankth e dëshpërim, duke shpresuar se do të kuptojnë se çfarë ka ndodhur me familjarët e tyre. Serbia ka qenë dhe është adresa e vetme prej ku do të duhet të kërkohet përgjegjësia dhe llogaridhënia për personat e zhdukur në Kosovë”, ka thënë Tahiri.

Në komunikatën për media, Tahiri thotë se fatkeqësisht e njëjta mendësi dhe nomenklaturë që ka kryer krimet në Kosovë edhe sot është duke drejtuar sistemin politik të Serbisë dhe po injoron këtë kërkesë mbi të gjitha humane.

“Pavarësisht tendencës për dukje të moderuar të Aleksandër Vuciqit, kasta politike aktuale e Serbisë e drejtuar prej tij, është e angazhuar për të mohuar dhe fshehur krimet që i ka kryer regjimi shtypës e diktatorial i Millosheviqit. Mungesa e vullnetit të plotë për të ndarë informacione, origjina e të cilave është në hartat e ushtrisë dhe policisë serbe është tregues i qartë i kësaj tendence e cila përballë kërkesës më sublime e humane, vazhdon të izolojë çdo përpjekje për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga lufta në Kosovë”, thotë ai.

Sipas Tahirit, për këtë kastë politike serbe, asocimi më krimin, gjenocidin e anti-humanizmin vazhdon të jetë motiv drejtues, në vend të distancimit nga to dhe marrjes së përgjegjësisë shtetërore për krimet e kryera.

“Është e pa tolerueshme që dy dekada pas luftës, Serbia ende nuk e ka bërë asnjë hap për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, nuk ka proceduar në gjykata dyshimet për djegien e trupave të shqiptarëve dhe nuk tregon gatishmëri për t'i dhënë fund pritjes së gjatë të familjarëve, për të ndihmuar familjarët që të mbyllin këtë kapitull të dhimbshëm të jetës së tyre. Ky është një krim me paramendim. Fshehja e tij e bënë edhe më mizor. Është e njëjta mendësi që ka bërë këtë krim ajo që vazhdon ta mohoj atë dhe të mos marrë përgjegjësi për të. Vitin e kaluar, kam kërkuar mbështetje nga homologët e mi të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian përmes një letre publike, për të kërkuar nga Serbia përgjigje për këtë krim”, ka thënë tutje ministri Tahiri.

Tahiri, gjithashtu thotë se pavarësisht inkurajimit që ka marrë, beson se presioni nga BE duhet të jetë i vazhdueshëm.

“Nuk mund të konsiderohet shtet i gatshëm për të nisur integrimin në BE, një vend që nuk ka as gatishmërinë më të vogël për të treguar humanizëm dhe për t'i dhënë fund pritjes së familjarëve që ende nuk dinë për më të dashurit e tyre. Pavarësisht nga neglizhenca e shtetit serb për të punuar për ndriçimin e fatit të të zhdukurve, ne nuk do të ndalemi asnjëherë deri në gjetjen e të vërtetës për 1647 qytetarëve tanë, prej të cilëve mbi 100 janë fëmijë. Nuk do të rreshtim deri sa të kemi përgjigje për familjet e tyre, për gjithë shoqërinë, për t'i dhënë një epilog kësaj tragjedie”, përfundon Tahiri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme