Arbëri

Putin Vuçiqit: Po e përcjellim me vëmendje situatën në Kosovë

Descriptive Text

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot në Pekin është takuar me presidentin rus Vladimir Putin.

Ai me këtë rast shefin e Rusisë e ka njoftuar me “zhvillimet e situatës në Kosovë, ndërsa Putini ka theksuar se Moska zyrtare e përcjell me vëmendje situatën dhe se do ta përkrahë Serbinë, citojnë mediet serbe burime jozyrtare nga takimi i dy liderëve, transmeton Koha.net.

Në fillim të takimit Vuçiq ka thënë se nuk i kupton hapat e jashtëzakonshëm të Kosovës, ndërsa është folur edhe për takimin e të hënës në Berlin ku marrin pjesë edhe liderë të Kosovës, Thaçi e Haradinaj.

Presidenti serb ka falënderuar presidentin rus, siç është thënë, sidomos për përkrahjen që ia bën integritetit dhe tërësisë territoriale të Serbisë, përcjell agjencia serbe e lajmeve tanjug.

Putini ka thënë se Rusia e përcjell me vëmendje situatën në Kosovë dhe se do ta mbështesë Serbinë. Ai ka shtuar se është i kënaqur me se mund të flasin për bashkëpunimin bilateral dhe çështjet rajonale.

Ata kanë biseduar edhe për bashkëpunim energjetik, ndërsa Vuçiq ia ka treguar atij fotot e para nga ndërtimi i gazsjellësit “Rrjedha turke” nëpër Serbi.

Me këtë takim me Putinin, Vuçiqi ka rrumbullakuar konsultimet me partnerët dhe me miqtë e Serbisë në prag të takimit në Berlin të hënën të thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Vuçiq në Pekin është takuar edhe me kryetarin e Bjellorusisë Lukashenko.