Mbështetës të Partisë Demokratike në Shkodër bllokuan akset hyrëse për në këtë qytet, për të ndaluar kalimin e kryeministrit Edi Rama. Kryetari i Qeverisë do të zhvillojë disa takime në kryeqendrën e veriut.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, Ura e Bahçallëkut u bllokua. Grumbullime të mbështetësve të opozitës ka edhe tek Ura e Spatharit në aksin Shkodër - Mjedë, si dhe në Urën e Vrakës, në aksin rrugor Shkodër-Koplik. Të pranishëm janë edhe ish deputetët të Partisë Demokratike.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për bllokimin e akseve rrugore nga mbështetës të Partisë Demokratike për të ndaluar vizitën e tij në Shkodër. Në një postim në rrjetet sociale Rama shkruan se është i keqardhur për grupet e njerëzve të mbledhur nga ata që çuan në qorrsokak PD-në dhe po orvaten më kot të çojnë në qorrsokak edhe Shqipërinë.
“Rrugës për Malësi të Madhe. Sinqerisht i keqardhur për grupet e vogla të njerëzve të mbledhur kthesave nga ata që pasi e çuan në qorrsokak PD, orvaten më kot të çojnë në qorrsokak edhe Shqipërinë! Pak nga pak edhe këta njerëz do e kuptojnë se fajin ua kanë udhëheqësit e verbër”, ka shkruar kryeministri Edi Rama./abnews