Haradinaj për ndalimin e këshilltarit të tij nga ana e Serbisë: Janë shenja të agresionit Në foto, Sergjan Jovanoviq (majtas) dhe Sllobodan Petroviq (në mes) / Facebook

Pacolli: Nëse Jovanoviq keqtrajtohet, Kosova shikon mundësinë e mbylljes së Zyrës Ndërlidhëse në Serbi

25 April 2019 14:09
17:06

Për ndalimin e Sërgjan Jovanoviqit, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, që ka thënë se nëse Jovanoviq keqtrajtohet Kosova do ta shohë mundësinë e mbylljes së përkohshme të prezencës diplomatike në Serbi.

Ai ka thënë se do të kërkojnë nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd që të monitorojë rastin. Sipas tij, është e qartë që mungon trysnia nga Bashkimi Evropian mbi Serbinë.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka thënë se me këtë ndalim Serbia po vazhdon fushatën e terrorit mbi qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, ky arrestim tregon që Serbia s’njeh parimet themelore të qytetarisë.

Ky është postimi i Pacollit:

Serbia po vazhdon me fushatën e terrorit mbi qytetarët e Republikës së Kosovës, duke i ndalur dhe keqtrajtuar në pika kufitare apo brenda territorit të saj. Arrestimi i sotshëm i Këshilltarit të Kryeminstrit, Srdjan Jovanoviç, nga autoritetet e sigurisë dhe inteligjenca serbe, tregon që Serbia nuk njeh parimet themelore të qytetarisë.

Ky regjim jo demokratik, i arreston serbet i Kosovës, sepse mendon që fakti se ata janë serbë, i bënë me automatizëm edhe shtetas të saj. Është pikërisht kjo logjike primitive, sipas së cilës serbet kudo në botë i takojnë Serbisë, ajo e cila e ka shtyrë këtë vend në luftëra dhe konflikte me popuj dhe vendet tjera.

Do t'i kërkojmë Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, të monitoroj këtë rast, dhe në rast se Jovanoviç keqtrajtohet, në shenjë proteste ndaj këtij shteti, do të shohim mundësinë e mbylljes sê përkohshme të prezencës sonë diplomatike në Serbi.

Është e qartë që mungon trysnia nga Bashkimi Evropian mbi këtë vend, dhe edhe përkushtimi për procesin e normalizimit!

15:00

KMDLNJ: Serbia ndalon të gjithë ata që e kundërshtojnë politikën e tyre dhe të Listës Serbe

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas ndalimit të Sërgjan Jovanoviqit, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, nga ana e autoriteteve serbe.

Këshilli thotë se ky arrestim është i motivuar politikisht dhe që dëshiron të përcjellë një porosi të qartë, se ky fat i pret të gjithë ata që e kundërshtojnë politikën e Serbisë në Kosovë dhe që nuk janë në një linjë me Listën Serbe.

“Autoritetet serbe e kanë legalizuar shantazhin dhe kërcënimin ndaj serbëve besnikë të Kosovës duke i ndalur në pika kufitare, duke i arrestuar, qoftë pjesëtarë të FSK-së, Policisë së Kosovës, politikanë, deputetë dhe poste të tjera dhe duke i detyruar të tërhiqen nga institucionet e Kosovës e në rast të kundërshtimit i sulmojnë me armë zjarri, ua shkatërrojnë pronën apo iu vendosin mjete shpërthyese”, thuhet në reagim.

KMDLNJ e konsideron arrestimin e Jovanoviqit si arrestim arbitrar dhe si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, kundër lirisë së fjalës, lirisë së lëvizjes dhe përcaktimit vullnetar për organizim dhe veprim politik.

Këshilli fton të gjithë aktorët relevantë të gjykojnë këtë “veprim të dhunshëm të institucioneve të Serbisë” kundër qytetarëve të Kosovës të përkatësisë etnike serbe e që janë integruar apo duan të integrohen në institucionet e Kosovës dhe shoqërinë kosovare.

“Ky manifestim i vazhdueshëm i dhunës së Serbisë ndaj qytetarëve serbë të Kosovës ka krijuar kushte të frikshme për zgjedhjet në 4 komunat me shumicë serbe prandaj, përveç Listës Serbe të gjitha partitë serbe të Kosovës kanë refuzuar të marrin pjesë në këto zgjedhje. Pikërisht për këtë arsye, KMDLNj këto zgjedhje i konsideron të padrejta për faktin se nuk është ofruar siguri për të gjitha subjektet politike dhe individët të garojnë në kushte të barabarta”, vijon deklarata.

KMDLNj thotë se është e pakuptimtë të lejohet një dhunë shtetërore, në këtë rast e Serbisë, ndaj një subjekti politik të serbëve të Kosovës si Partia Liberale Serbe vetëm se ka mendim dhe qëndrim tjetër politik.

14:09

Veseli: Serbia po synon përndjekjen e serbëve të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar pas ndalimit nga policia serbe, Sërgjan Jovanoviq, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj njëherësh anëtar i Partisë Liberale Serbe të Kosovës, SLS.

Veseli thotë se një veprim i tillë është i papranueshëm dhe synon përndjekjen e serbëve të Kosovës.

Ai ka kërkuar nga BE-ja që të reagojë në lidhje me këto veprime të autoriteteve serbe.

Reagimi i plotë i Veselit

Ndalimi dhe marrja në pyetje nga autoritetet e Serbisë të një zyrtari tjetër të Partisë Liberale Serbe, Sërgjan Jovanoviq e që është edhe anëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës është veprim i papranueshëm dhe që synon të përndjekë serbët e Kosovës që duan të integrohen në shtetin tonë. Ky është një akt që ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe pasigurisë tek serbët e Kosovës.

Bashkimi Evropian duhet të reagojë dhe të kërkojë nga Serbia që të ndalë këto veprime provokuese. Këto akte dëshmojnë mungesë të vullnetit të Serbisë për të dialoguar e për t’u pajtuar. Veprime të tilla nuk duhet të përsëriten më.

14:09

Haradinaj për ndalimin e këshilltarit të tij nga ana e Serbisë: Janë shenja të agresionit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ndalimin që i kanë bërë autoritetet serbe këshilltarit të tij Sërgjan Jovanoviq.

Ai thotë se kjo është një shenjë agresioni, karshi qytetarëve të Kosovës, transmeton Koha.net.

“Shpreh shqetësimin për ndalimin e këshilltarit tim Sërgjan Jovanoviq nga autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës serbe. Ky ndalim, që nuk është i pari i kësaj natyre, edhe njëherë dëshmon qartë se metodat e frikësimit që përdoren nga autoritetet serbe, janë një shenjë agresioni, karshi qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se, “ju bëjmë thirrje autoriteteve të Brukselit zyrtar që të reflektojnë dhe adresojnë, sjelljen e autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ky agresion, nuk i ndihmon normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve tona”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme