KQZ-ja e ndarë rreth rikandidimit të ish-kryetarëve të komunave veriore Foto: Koha

Shtyhet mbledhja e KQZ-së, VV-ja s’pranon certifikimin e ish-kryetarëve veriorë për zgjedhjet e reja

Fitim Gashi Fitim Gashi 23 April 2019 11:16
12:16

Është shtyrë mbledhja e KQZ-së për kohë të pacaktuar.

Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk është tërhequr nga kërkesa e saj që ish-kryetarët e komunave veriore që dhanë dorëheqje rreth pesë muaj më parë, të mos lejohen të rikandidojnë, raporton “Koha Ditore”.

Pa votën e njërit prej anëtarëve të KQZ-së, nuk mund të certifikohen kandidatët.

11:16

KQZ-ja e ndarë rreth rikandidimit të ish-kryetarëve të komunave veriore

Në Komisionit Qendror Zgjedhor po mbahet mbledhja për certifikimin e kandidatëve për zgjedhjet në veri. Me propozim të anëtarit të LDK-së, Florian Dushi, Komisioni lëshoi mbledhjen për konsulta 10 minutëshe pasi Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi votë kundër certifikimit të tyre.

Adnan Rrustemi nga LVV tha se nuk është kundër asnjë etnie, rrjedhimisht as serbëve, por theksoi se në rastin konkret jemi në situatë të pazakontë, jo vetëm për rastin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Dorëheqjet janë bërë në kundërshtim me rendin juridik dhe kushtetues. Krahas të drejtës së votës dhe kandidimit, është e drejta për të siguruar qeverisje lokale, gjë që është mohuar pesë muajt e fundit. Tre prej kandidatëve janë ish-kryetarë. Me dorëheqjet me formën dhe arsyen, bien në kundërshtim me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Kam pritur dëshmi shtesë ku distancohen nga referimet e bëra në letrat e dorëheqjes. Për bindjen time e kanë humbur të drejtën kushtetuese për të kandiduar, pasi Republikës i janë referuar me ‘Kosovë dhe Metohi’. Ka pasur presione ndaj kandidatëve tjerë, për të mos hyrë në zgjedhje”, ka thënë Rrustemi, raporton “Koha Ditore”.

Ai ka theksuar se në këtë mes duhet të përfshihet edhe qeveria pasi që ajo nuk ka folur zyrtarisht asnjëherë rreth kësaj çështjeje dhe nuk ka konstatuar nëse po funksionojnë komunat.

“Rikandidimi i të njëjtëve është i papranueshëm. Duhet që kjo çështje të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Unë do ta procedoj dhe gjykata duhet të japë një verdikt se a kanë të drejte të zgjidhen këta kandidatë, me paralajmërimin se do të dorëhiqen prapë”, deklaroi më tej anëtari i LVV-së.

Ndërkaq, anëtari i Listës Serbe, Stevan Veselinoviq, tha se aplikimi i partisë së tij është bërë sipas ligjeve.

“Nuk duhet të jeni kundër kandidatëve që Lista Serbe i ka propozuar”, deklaroi Veselinoviq.

Florian Dushi nga LDK tha se detyrë dhe përgjegjësi e KQZ-së është zbatimi i Kushtetutës, ligjeve dhe rregulloreve.

Autorizimet e KQZ-së ai tha se janë të kufizuara dhe duhet t'i respektojmë procedurat që ndërlidhen me aplikimin dhe certifikimin e tyre.

“Mund të jetë problematike rikthimi i kandidatëve që kanë dhënë dorëheqje. Por zyra doli me rekomandim dhe KQZ-ja duhet të mos e problematizojë këtë çështje përtej autorizimeve të veta. Ka edhe instanca tjera që do ta detyronin KQZ-në të veprojë sipas rregullave të veta. Ideja se janë dorëhequr dhe nuk kanë të drejtë të rikandidojnë, do të krijonte precedent i rrezikshëm. Ka ndodhur që partitë e kanë rrëzuar veten me mocione, sipas kësaj i bie që atyre t’ua ndalojmë kandidimin. Të shmangemi nga vlerësimet politike që nuk kanë të bëjnë me KQZ-në”, deklaroi Dushi, ndërsa kërkoi një pauze 10 minutëshe për shkak të këtyre dilemave.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, kërkoi prej të gjithë anëtarëve që ta zbatojnë ligjin dhe të frenohen nga ndikimet politike.

“Ky është detyrim kushtetues që e kemi marrë me rastin e dekretimit. Kemi nevojë për konsultim paraprak”, u shpreh ajo.

Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja ka miratuar emrat e kandidatëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme