Arbëri

Krasniqi: Koalicioni është stabil, nuk ka hapësirë për zgjedhje

Foto: Ilustrim

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi thotë se koalicioni qeveritar është stabil dhe sivjet nuk ka hapësirë për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Deputeti Memli Krasniqi thotë nuk kanë vije të kuqe për askënd, por që nuk preferojnë koalicion me të gjitha partitë në Kosovë. Krasniqi thotë dëshirojnë koalicion me partitë që kanë një përafrim ideologji me PDK-në.

Në një intervistë për KosovaPress, shefi i deputetëve të PDK-së thotë se nuk mund të parashikojnë se çka mund të ndodh vitin e ardhshëm, por që sivjet nuk ka hapësirë për zgjedhje.

Sipas tij, koalicioni qeveritar është stabil.

“Personalisht nuk besoj që ka zgjedhje as ka hapësirë për të pasur zgjedhje në këtë vit. Janë më pak se dy vite që ne kemi përfunduar zgjedhjet parlamentare dhe po ashtu gati dy vite prej zgjedhjeve lokale, është shumë me rëndësi që edhe si vend të kalojmë në një stad ku respektojmë këto orare të rregullta kushtetuese dhe ligjore sa i përket zgjedhjeve. Por nëse mund të them kështu, në të ardhmen e parashikueshme nuk besoj që ka hapësirë për ta pasur zgjedhje sepse koalicioni qeveritar është stabil”, thotë ai.

Sipas Krasniqit, partnerët e koalicionit po e zbatojnë programin qeverisës dhe se stabiliteti mbi të gjitha bazohet në atë marrëveshje.

Krasniqi thotë se është krejt normale që në një koalicion ku ka disa partnerë, të ketë mendime të ndryshme, por sipas tij, ato nuk nënkuptojnë mospajtime.

I pyetur se a ka PDK vije të kuqe për ndonjë parti, Krasniqi thotë se nuk kanë, por që nuk preferojnë koalicion me të gjitha partitë.

Ai thotë se të gjithë në fund bëjnë koalicion me PDK-në, ani pse vazhdimisht thonë se kanë vija të kuqe.

“Për ne kanë pas vija të kuqe krejt, por krejt në fund vinë në koalicion me PDK-në, kjo ka me i përcjell edhe në të ardhmen normalisht. Vetëm ne nuk kemi vija të kuqe për askënd, sepse duhet të marrim parasysh këtë kontekst në të cilin jetojmë dhe këtë rregullim politik të cilin e kemi krijuar, kushdo që del, garon në zgjedhje, dhe merr një mandat qytetar dhe merr besimin e qytetarëve të Kosovës ai e ka legjitimitetin e vet. Nëse ne në një moment mund të pajtohemi për të pasur qeverisje të përbashkët, mund ta arrijmë një gjë të tillë, nëse nuk pajtohemi është krejtësisht e natyrshme që të ketë alternativa. Nuk preferojmë me të gjitha partitë me partitë me pas koalicion”, thotë ai.

Krasniqi shton se preferojnë që të koalicionet me PDK-në të jenë vetëm me partitë që kanë një përafrim ideologjik.