Arbëri

Kundërmasat e Serbisë ndaj Kosovës, ndalimi i kamionëve apo suspendimi i Marrëveshjes së Brukselit

Serbia brenda ditës po e humb nga një milion euro për shkak të taksës që Kosova e ka vënë ndaj mallrave të Serbisë dhe deri më tash ajo është dëmtuar për 147,9 miliona euro, ka thënë për gazetën “danas” ministri i Tregtisë i Serbisë Rasim Lajiq.

Ai ka shtuar se tash e një kohë të gjatë dhe në vazhdimësi nga kjo masë po humbin nga mbi një milion euro në ditë, transmeton Koha.net.

Lajiq, megjithatë nuk e di se cilat masa konkretisht i ka menduar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kur para disa ditësh kishte paralajmëruar se në vigjilje të Shëngjergjit, nëse nuk ndërprite taksa e Kosovës, do t’i vendosë kundërmasat. Se cilat do të jenë ato masa, Vuçiqi do t’i deklarojë në udhëheqje të partisë së tij, ka thënë ai.

“Nuk e di cilat do të jenë kundërmasat. Nëse ne i ndalojmë kamionët e Kosovës, kjo do të thotë se duhet ndaluar edhe kamionët që nga BE-ja shkojnë në Kosovë e në këtë rast do të kishim problem me Evropën. Ekziston edhe opsioni i suspendimit të Marrëveshjes së Brukselit, porse kjo do të ishte çështje politike”, citon “danas të ketë thënë Lajiq.

Ideja e Qeverisë serbe në fillim ka qenë që të pritet presioni i bashkësisë ndërkombëtare ndaj fqinjëve të jugut që të hiqet taksa. Paralajmërimi i Vuçiqit se Serbia do të mundë t’i vendosë kundërmasat, është dëshmi se ky presion, edhe nëse ka pasur, nuk ka qenë i suksesshëm .

Në nivelin vjetor, humbja e Serbisë nga taksa që e ka bënë Kosova ndaj mallrave të saj, pritet të jetë mbi 500 milionë euro .