Haradinaj: Pashkët i kanë bashkuar shqiptarët

Tërnava uron Pashkët

21 April 2019 08:37
10:35

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me rastin e festës së Pashkëve, ka uruar të gjithë besimtarët e besimit katolik, duke thënë se festat fetar gjithherë kanë qenë momente që na kanë bashkuar në të mirë, na kanë bërë më humanë, më unikë e më të dashur.

Ai ka uruar që edhe mesazhet dhe porositë që dalin nga festa e pashkëve të jenën si gjithherë në funksion të fisnikërimit të popullit tonë dhe gjithë popujve në botë.

Urimi i plotë:

I nderuari Ipeshkëv, zotëri Dodë Gjergji, me rastin e festës së Pashkëve kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të bashkëpunëtorëve të mi si dhe në emër të besimtarëve të besimit Islam t’u përcjell juve personalisht, bashkëpunëtorëve tuaj si dhe të gjithë besimtarëve të besimit katolik urimet e mia më të sinqerta duke u dëshiruar gjithë të mirat e begatitë e Zotit.

Zotni Ipeshkëv, te populli ynë festat fetar gjithherë kanë qenë momente që na kanë bashkuar në të mirë, na kanë bërë më humanë, më unikë e më të dashur dhe nëpërmjet këtyre vlerave edhe kemi ndërtuar një trashëgimi të pasuar që për zanafillë ka respektin, dashurinë, mirëkuptimin, ndërgjegjësimin, paqen e qetësinë, themele këto mbi të cilat kemi ngjitur harmoninë e mirëkuptimin ndërfetarë që tani më janë vlera e dalluese të popullit tonë.

Uroj që edhe mesazhet dhe porositë që dalin nga festa e pashkëve të jenën si gjithherë në funksion të fisnikërimit të popullit tonë dhe gjithë popujve në botë.

I nderuari ipeshkëv Gjergji!

Duke ju përshëndetur vëllazërisht edhe njëherë ju uroj Juve, i nderur Ipeshkëv, dhe gjithë besimtarët e krishterë, urime Pashkët, paqe, lumturi, harmoni dhe begati paçi në familjet tuaja.

10:32

Veseli uron festën e Pashkëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka uruar mbarësi për besimtarët.

“Uroj nga zemra besimtarët e krishterë: Gëzuar Pashkët! Le të sjellë kjo festë e shënuar sa më shumë mirësi, gëzim dhe begati për ju dhe të afërmit tuaj! Paqja dhe harmonia mbizotëroftë në familjet tuaja”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

 

09:43

Limaj: Toleranca ndërfetare, vlerë që është kultivuar nga qytetarët e Kosovës

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë që sot festojnë Pashkët, duke thënë se toleranca ndërfetare, paqja dhe solidariteti janë vlera të cilat ndër vite janë kultivuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim feje dhe etnie.

Limaj ka shkruar në Facebook se në këtë ditë të bekuar për komunitetin e krishterë uroj që në familjet tuaja të ketë sa më shumë lumturi, begati e harmoni.

09:17

Thaçi: Pashkët të forcojnë ndjenjat e mirësisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar që Pashkët të forcojnë edhe më tej ndjenjat e mirësisë dhe besimin në vlera tona, si dhe të shtojnë dashurinë dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet gjithë qytetarëve tanë.

Thaçi ka shkruar në Facebook se në këtë të diel të Pashkëve katolike, të gjithë besimtarëve të krishterë ua uroj këtë festë të shenjtë. Shumë gëzime dhe shumë lumturi në familjen e çdo besimtari.

“Si simbol i ringjalljes dhe i ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen, uroj me gjithë zemër që Pashkët të forcojnë edhe më tej ndjenjat e mirësisë dhe besimin në vlera tona, si dhe të shtojnë dashurinë dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar ai në Facebook.

09:16

Pacolli: Pashkët të jenë moment reflektimi për kombin tonë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve, duke thënë se kjo festë është edhe një moment reflektimi, jo vetëm për besimtarët e krishterë, por për të gjithë shqiptarët pa dallim feje.

Pacolli ka shkruar në Facebook se kjo festë është edhe një moment reflektimi, me qëllim afrimin dhe përkushtimin më të madh si ndaj njëri-tjetrit, ashtu dhe ndaj kombit që i takojmë, për të mirën e brezave që vijnë.

08:37

Haradinaj: Pashkët i kanë bashkuar shqiptarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke uruar festën e Festën e Pashkëve, ka thënë se Pashkët për mijëra vjet i kanë bashkuar shqiptarët në vendin e vet rreth vlerave të tyre unike.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se kjo ditë, që na rrëfen mrekullinë e ringjalljes, të ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, na kujton se në thelb, sakrifica për të mirën dhe të drejtën është virtyti më i lartë jetësor.

“Uroj që në këtë ditë të bekuar për besimtarët katolikë, ta ngrisim ndjenjën e respektit për të tjerët dhe t’ua shtrijmë dorën atyre që kanë nevojë. Ipeshkvit të Kosovës Imzot Dodë Gjergjit, të gjithë shqiptarëve të besimit katolik, si dhe miqve ndërkombëtarë, gëzuar dhe për shumë mot Festën e shenjtë të Pashkëve”, ka shkruar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme