Arbëri

Pacienti blen, spitali “kursen”

Foto: Driton Paçarada / KD

30 milionë euro pati thënë Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015 se do të mjaftonin që në spitalet publike të mos mungonte asnjë bar.

Në dispozicion atëkohë për barna e material shpenzues i ka pasur rreth 21 milionë. Katër vjet me vonë ky buxhet ka arritur në 34 milionë, shkruan sot Koha Ditore. 

Kjo nuk e ka përmirësuar gjendjen e furnizimit me barna e material shpenzues të institucioneve publike shëndetësore. Mungesat nuk lidhen me para. Lidhja e kontratave e menaxhimi i tyre kohë e pakohë po e sjellin shëndetësinë publike përballë kaosit.

Mungesa e një sistemi të mirëfilltë që mundëson planifikimin e blerjeve të barnave me kohë, mungesa e fuqisë së SHSKUK-së përballë kompanive farmaceutike të papërgjegjshme, mënyra e dyshimtë e shpërndarjes se barnave, dyshimet për neglizhencë në sistemin e blerjeve të barnave, bëjnë që shumicën e rasteve pacientët të mos i gjejnë barnat që paguhen nga buxheti publik nëpër spitale.

Një sistem i tillë i brishtë që nuk arrin të krijojë zinxhir të mirëfilltë të përgjegjësisë në këtë proces vetëm rritë mundësinë e keqpërdorimeve në buxhetin e rritur të barnave për me shumë se 60 për qind. Një sistem i tillë me më shumë miliona e pa garanci se si shpenzohen ato, dëshmon se shëndetësia më shumë se për buxhet vuan nga keqmenaxhimi.

Insuficienca kronike farmaceutike

Rruga prej objektit ku është e vendosur zyra e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës të merr përafrisht 3 minuta kohë në ecje mesatare deri te Klinika e Gjinekologjisë.

Për këtë interval të shkurtër gazeta ka takuar tre qytetarë që hynin në këtë klinikë me barnat e blera vetë në barnatoret private. Disa nga ta mbanin barna që përdorimi i tyre mundëson ardhjen e një jete të re e disa nga ta medikamente për trajtimin e lehonave pas lindjes. Zyrtarisht në spitale publike mungojnë rreth 40 për qind e barnave të Listës Esenciale...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)