Berisha thotë se Rugova gaboi që publikoi ardhjen e “Manifestas” në Prishtinë

Berisha thotë se Rugova gaboi që publikoi ardhjen e “Manifestas” në Prishtinë

19 April 2019 18:18

Asamblisti i PSD-së në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, ka vlerësuar se deklarimi i djeshëm i ish-drejtorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, i cili zbuloi se “Manifesta 2022” do të mbahet në Prishtinë, ka qenë i ngutshëm dhe i gabuar.

Kjo pasi sipas tij, menaxhmenti i “Manifesta” ka kërkuar që deri në nënshkrimin e protokollit të mos zbulohet se cili do të jetë kryeqyteti se ku do të organizohet.

Berisha në emisionin “Express Intervista” në KTV, ka thënë se ky proces është politizuar, duke u munduar që meritat të individualizohen.

“Ylli ka gabuar që ka publikuar se Prishtina është nikoqir i ‘Manifesta 2022’, sepse me email-at që kemi shkëmbyer me organizatorë të ‘Manifesta’, ata kanë thënë se para se të nënshkruhet protokolli, duhet të ruhet sekreti. Ne jemi dakorduar që si grup punues të mos e publikojmë lajmin duke ju frikësuar gabimeve në momentet e fundit”, ka thënë ai. “Ky proces ditën e djeshme u politizua, ku në rrjete sociale u cituan edhe emrat e partive”, ka thënë ai.

Sipas tij, përveç ish-drejtorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, merita për ardhjen e “Manifestas” kanë edhe persona të tjerë, përfshirë këtu edhe kryetarin Shpend Ahmeti.

Ai ndër të tjera ka theksuar rëndësinë e të funksionuarit pa shikuar se cilës parti i përkasin.

“Është shumë e rëndësishme që proceset e tilla të mos politizohen dhe të mos individualizohen. Duke falënderuar Yllin që ka qenë nismëtar që ‘Manifesta’ me qenë këtu, unë kisha falënderuar edhe njerëz të tjerë duke përfshirë edhe Shpend Ahmetin”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se projekti i “Manifestas” kushton rreth 9 milionë euro, ku nga to, 4.5 milionë euro duhet të sigurohen nga institucionet e Kosovës.

“Prishtina nuk ka me qenë e njëjtë para dhe pas ‘Manifestës’, nëse ndodhë. Do të hapet një OJQ që do të menaxhojë fondin dhe përmes saj do të përgatiten nevojat dhe hapat që do të ndërmerren. Unë shpresoj që qeverisja e ardhshme, kushdo që të jetë, të mos e bllokojë”, ka thënë ai.

Berisha ndër të tjera ka folur edhe për Sallën Koncertale derisa ka deklaruar se mos-gjetja e një lokacioni, po rrezikon humbjen e fondeve.

“Problemi i Sallës Koncertale është lokacioni. Janë disa opsione tjera përveç ish-ndërtesës së Gërmisë. Krejt çka di është që jemi në rrezik të humbjes së fondeve”, ka përfunduar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme