Blakaj: Mohimi i krimeve nga Serbia për keqardhje dhe e papranueshme

Blakaj: Mohimi i krimeve nga Serbia për keqardhje dhe e papranueshme

18 April 2019 00:02

Bekim Blakaj nga Fondi Humanitar për të Drejtat e Njeriut në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është për keqardhje dhe e papranueshme mohimi i krimeve në Kosovë nga ana e institucioneve të Serbisë.

Ndër të tjerë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se masakra e Reçakut ishte një trillim.

“FHD është marrë me raportimin e krimeve të luftë. Tash është 20 vjetori i atyre krimeve. Nga viti i kaluar kemi nisur ato që i quajmë ligjërata publike. Në ato mbizotërojnë faktet që kemi mbledhë, në radhë të parë të dëshmitarëve okularë, por edhe të dëshmive të tjera që kemi marrë nga Haga”, ka thënë Blakaj.

Blakaj ka konfirmuar se më 7 maj do të hapin në Prishtinë një ekspozitë për vrasjen e fëmijëve në luftë.

“Gjatë luftës është numër i madh i fëmijëve të vrarë. E ne po përgatisim tash një ekspozitë me gjësendet e këtyre fëmijëve. Ajo do të hapet më 7 maj në Hivzi Sylejmani në nder të fëmijëve që janë vrarë ose janë zhdukur gjatë luftës. Për fat të keq ka kryesues të institucioneve që i mohojnë ato krime, përkundër që ka prova të mëdha për to. Kjo është për keqardhje dhe e papranueshme”, ka thënë Blakaj.

Rajko Kozlin është dënuar me vetëm 15 burgim për vrasjen e 31 civilëve në Tërrnje të Therandës, përfshirë gra, pleq e fëmijë.

Për këtë ai thotë se do të apelohet.

“Vlen të theksohet se në bashkëpunim me familjet ne kemi bërë një kallëzim penal për vrasjet e 31 personave në Tërrnje të Suharekës. Ka pasur raste të shpeshta kur seancat janë shtyrë në momentin e fundit, përkundër që qytetarët nga Kosova kishin udhëtuar të ishin prezent në këto seanca. Njëri nga të akuzuarit është liruar, e për fat të keq ai që është dënuar nuk është në nivelin e duhur. E nuk mund të ketë rrethana lehtësuese për dikë që ka bërë krime makabre. Do të apelojë dhe kjo procedurë do të zgjatet për vitet e tjera. Nuk është e plotë drejtësia duke e marrë parasysh përmasat e krimeve që janë kryer”, ka thënë Blakaj.

Tutje ai ka shtuar se, “Dhoma Speciale në Serbi ka qenë pak më e përkushtuar dhe më serioze. Rasti i masakrës në Podujeve e Suharekë kanë qenë ndoshta shumë më mirë se rasti i sotëm në Suharekë. Janë dënuar 15 serbë me dënime të plotfuqishme. Ndërsa në Kosovë janë dënuar 4 serbë me dënime të plotfuqishme”.

FHD-ja nuk është e kënaqur me proceset gjyqësore, derisa ka kërkuar që bashkëpunimi të imponohet përmes dialogut të Brukselit.

“Duhet të theksoj se nga ajo që kemi monitoruar nuk jemi të kënaqur me procese gjyqësore.

Për vite me radhë kemi rekomanduar që ta imponojë dy tema në dialog: Të zhdukurit, dhe bashkëpunimin juridik në këto procese gjyqësore. Serbia nuk ka asnjë bashkëpunim me institucionet e Kosovës. Kur hetuesia në Kosovë ka prova të mjaftueshme, ato nuk mund të shfrytëzohen pasi Serbia nuk pranon t’i kthejë të dyshuarit apo të nisë hetime ndaj tyre në Serbi”, është shprehur Blakaj.

Ai thotë se asgjë nuk zgjidhet me rezoluta.

“Një nismë nga deputeti Sherifi që të hartohej një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Kosovë. Asgjë nuk zgjidhet me rezoluta ad-hoc. Këto duhet të zgjidhen me një punë sistematike.

Mendoj se ndoshta është pak e papërshtatshme edhe nga deputetët që të merren me këto gjëra. Do të duhej shumë më shumë të bëhej që të hetohen këto krime, por jo me rezoluta të tilla.

Nuk e dimë se çfarë përmbajnë kallëzimet penale të grave të Gjakovës, nuk e dimë se për çfarë bëhet fjalë. Nuk e dimë se çfarë po ndodh me këto lëndë”, ka thënë Blakaj.

Ai ka shtuar se duke pasur parasysh mohimin e krimeve të kryera në Kosovë, e mos pranimi i tyre ka shtyrë këto organizata në Beograd që të ndërmarrin disa aksione rrugore.

“Në Beograd është mbajtur një performancë për varrezat masive në Batajnicë që sot e kësaj ditë s’ka pasur një proces gjyqësor për të. Për fat të keq në Batajnicë tani nuk ekziston asgjë që tregon se ka pasur një varrezë masive me 700 trupa. Është për keqardhje në një prezantim që përmban fakte dhe prova të ndryshme që s’ka gazetarë, e fare pak ka kamera, e nuk ka media publike që i përcjellin këto lajme, ato thjeshtë i mohojnë ato krime që kanë ndodhur në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai përkrah idenë e një monumenti në Batajnicë, por kjo thotë se ka hasur në vesh të shurdhër.

“Ideja e Kandiqit është që një kohë për të krijuar një monument në Batajnicë. Në kuadër të këtij projekti kemi bërë disa intervista me disa pjesëtarë të këtyre viktimave.

Fondi ka bashkëpunuar edhe me një regjisor që ka bërë një film jashtëzakonisht të mirë që tregon fshehjen e trupave. Por, krejt kjo ka hasur në vesh të shurdhër te institucionet e Serbisë. Ajo hapësirë i përket një kazerme ushtarake, pra edhe fizikisht njerëzit nuk kanë qasje në atë vend. Ata që e njohin dhe që kanë përcjellë punën e Kandiqit. Sikur të mos ishte ajo nuk do të mund të dokumentoheshin krimet ashtu siç janë bërë. Të gjithë përfaqësuesit institucional ia njohin kontributin e saj”, ka thënë Blakaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme