Krasniqi: Kryeministër, me 170 euro në muaj edhe ju do ta linit Kosovën

Krasniqi: Kryeministër, me 170 euro në muaj edhe ju do ta linit Kosovën

17 April 2019 18:43

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj me kërkesën që të rrisë pagën minimale duke thënë se edhe ai do të kërkonte ta linte Kosovën sikur të paguhej vetëm 170 euro, aq sa është paga minimale në vend.

Në një video të publikuar në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se kryeministri paguhet 20 fish më shumë se punëtorët që marrin pagë 170 euro në sektorin privat.

Ai ka treguar një shportë me ushqim për të cilën ka thënë se nuk i është lejuar ta fuste në Kuvend për t’u treguar deputetëve se sa vështirë e kanë punëtorët që me 170 euro në muaj të ushqejnë familjet e tyre. Në vend të Kuvendit, ai në rrjete sociale ka thënë se paga minimale në Kosovë është aq e ulët sa që familjet mbesin të uritura.

“Me këtë pagë minimale, sektori privat po ua merr shpirtin punëtorëve. Me këtë pagë minimale, punëtorët arrijnë vetëm të mbesin gjallë që të dalin nesër prapë në punë për t’u shfrytëzuar nga sektori privat. Rriteni pagën minimale kryeministër, rritni numrin e inspektorëve që inspektojnë sektorin privat, zbatoni Ligjin e Punës e mos pyetni pse po e lëshoni Kosovën sepse nëse punon shtatë ditë në javë, nga 10 orë në ditë, dhe në fund s’arrin me i ngopë fëmijët e tu, edhe ti kryeministër do të lypje ta lëshoje Kosovën. Edhe ne deputetët do ta bënim këtë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se me këtë pagë minimale Kosova po bëhet vend i pajetueshëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme