Arbëri

Molliqaj: Në zgjedhjet e ardhshme PSD-ja do të ketë së paku 12 deputetë, VV-ja në rënie

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj është i bindur se partia e tij në zgjedhjet e ardhshme do ta kalojë pragun zgjedhor, madje thotë se të paktën do të ketë 12 deputetët, ata që janë aktualisht.

Sipas tij Vetëvendosje ka pësuar rënien më të madhe.

“Absolutisht se ne do ta kalojmë pragun. Vetëvendosje nuk e publikoi sondazhin e marsit. E ajo ka rënie drastike dhe humb 10 për qind të votave. Në sondazhet mostër ne jemi mbi 7. Asnjë dilemë nuk e kam që PSD-ja do të marrë minimumin 12 deputetët që jemi tani. Veç ne e AAK-ja jemi në rritje. Kurse në rënie është Vetëvendosje”, është shprehur Molliqaj.

Tutje ai shton se, “ne kemi qenë figura debatuese kryesore të Vetëvendosjes, e atëherë PAN-i nuk vinte në debate me ne. E sot të njëjtën po e bën Vetëvendosje, nuk po vjen në debate. Ne nuk kemi koalicion me askënd, sepse kjo do të thotë ndarje e pushtetit”.

Sipas tij PSD-ja është i barabartë me secilën parti në Kuvend. Ai thotë se cili është kuptimi i kësaj nëse nuk i kanë edhe paratë.

“Me ligjin aktual paratë i takojnë Vetëvendosjes. Por, ky ligj duhet të ndryshojë. Vetëvendosje është partia që ka më shumti para. Me secilën zyre në Kosovë ne kemi kontratë. Deputetët tanë janë duke kontribuuar. Por, edhe personat e tjerë dashamirë po kontribuojnë. Një pjesë e madhe që sot janë në PSD kanë qenë shpirti i Vetëvendosjes, e kanë punuar gjashtë vjet pa paga aty. Zemra e vullnetarizmit është në PSD”, ka thënë Molliqaj.

Tutje ai ka folur edhe për rrëzimin e mundshëm të Qeverisë.

“Besoj se janë duke e bërë mbrapshtë. Besoj se LDK-ja e PSD-ja duhet të diskutojmë strategjinë se si rrëzohet qeveria. Fillimisht duhet të ulen në tavolinë dhe vendosjen e hapave strategjikë. E pas kësaj të ulemi të diskutojmë me Vetëvendosjen e partive të tjera. Nëse e kanë përnjëmend me e rrëzuar Qeverinë. Nuk është punë e nënshkrimeve, sepse nënshkrimet tona janë ato. Vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm pas këtyre. Duhet të ketë diskutime për dialogun, Gjykatën Speciale, e për strategjitë që duhet ndjekur para e pas zgjedhore”, ka thënë ai.