“Duhet fuqizim i sundimit të ligjit për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE”

“Duhet fuqizim i sundimit të ligjit për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE”

15 April 2019 18:35

Ministria e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka diskutuar me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett lidhur me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe reformat me ndikim në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Hoxha ka thënë se SHBA-ja vazhdimisht ka mbështetur Kosovën në zhvillimin dhe forcimin e parimeve demokratike, dhe njëkohësisht Kosova ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të asistencës së SHBA-së.

“Kosova ka miratuar ligjet dhe është në proces të hartimit dhe shqyrtimit të komponentëve të tjerë të legjislacionit për të përforcuar sundimin e ligjit në veçanti kuadrin ligjor në fushën penale, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe reformat gjyqësore”, ka deklaruar ajo, sipas një njoftimi për media nga MIE.

Në anën tjetër, Kosnett ka potencuar rëndësinë e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke ofruar përkrahje për proceset integruese të Kosovës.

Ai ka thënë se SHBA-ja do të përkrahë Kosovën në eliminimin e dukurive negative që minojnë funksionimin e institucioneve dhe demokracisë në vend, duke theksuar pritjen që këto të arritura të shtohen më tej, duke kontribuuar në zbatimin e reformave, zbatimin e MSA-së dhe përafrimin me vlerat e vendeve të BE-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme