Seanca nis me propozim për një rezolutë lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë

S’votohet rezoluta që e ndalon angazhimin e Thaçit për shkëmbim territoresh

15 April 2019 11:33
13:37

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta votojë rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun me Serbinë.

Si pasojë e mungesës së votave nuk u votua as propozim-rezoluta nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.Ksp

13:22

Nuk kalon projektligji për dhomat e posaçme për AKP-në

Në mungesë të kuorumit, nuk është votuar në shqyrtim të dytë, projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se ka kërkuar që të votohet një projektligj i tillë i cili do e bënte funksionale këtë dhomë, e cila nuk punon që nga qershori i vitit të kaluar.

“Është jo funksionale realisht nga qershori i vitit të kaluar prej përfundimit të mandatit të EULEX-it apo largimit të gjyqtarëve të EULEX-it, tashmë nuk është funksionale. Janë rreth 22 mijë lëndë që janë të pazgjidhura dhe kryesisht janë para të punëtorëve të cilët e presin 20 për qindshin e ndërmarrjeve të privatizuara gjatë viteve të fundit. Prandaj, mendoj se është tejet e rëndësishme që kjo çështje mos të shihet si agjendë politike e askujt, por të shihet si një funksionalizim i mëtutjeshëm të sistemit tonë të drejtësisë sepse kjo na mundëson rekrutimin e menjëhershëm të gjyqtarëve tanë në kuadër të kësaj dhome dhe rritjen e efikasitetit të kësaj dhome”, tha Tahiri.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ,Sami Kurteshi, tha se projektligji për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit përbënë shumë mangësi.

“Lëndët që janë duke pritur nuk janë për faj të deputetëve apo komisionit, çështja tjetër që është diskutuar gjatë kohë edhe në komision edhe në grupet punuese ka të bëjë që është themelore ka shumë mangësi ky ligj sepse vetë privatizimi domethënë ka qenë një çështje që ka pasur karakter kriminal që është konstatuar edhe në këtë Kuvend por edhe në forumet tjera, ka pasur vërejtje të ndryshme por vërejtja kryesore ka të bëjë me përbërjen e kolegjeve në shkallë të parë me një anë është konstatuar rëndësia e madhe dhe është konstatuar se kemi të bëjmë shpesh herë me vendime që prekin qindra e mija punëtor” u shpreh Kurteshi.

Në mungesë të votave të deputetët në seancën plenare që po mbahet sot nuk kanë kaluar një sërë ligjesh ndër to votimi në parim i projektligjit për mbrojtjen nga zhurma, votimi në parim i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, votimi në parim i projektligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, projektligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve. KsP

12:27

Veseli-Konjufcës: Të ka lëvizur pak autoriteti

Mungesa e kuorumit për t’u votuar në lexim të dytë projektligji për miniera dhe minerale,e ka shtyrë që të reagoi deputetin e PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e ka konsideruar opozitën si të lodhët.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se opozita është mashtruese dhe nuk janë në gjendje ta mbajnë marrëveshjen as dy minuta.

“Është për keqardhje në të njëjtën kohë brenda dy minutave qysh zbulohet pabesia e kësaj opozite të lodhët, para dy minutave a kërkuan hajt të votojmë se e votojmë edhe ne domethënë këta janë mashtrues të cilët nuk janë në gjendje dy minuta me mbajnë një marrëveshje, nuk e di si kanë fytyrë mandej me lyp besimin e qytetarëve, nuk mbetet keq ky Kuvend që nuk votohet sot ligji për miniera dhe minerale sot se nuk e kanë votuar tre katër muajt e fundit, por arsyeja pse e mora fjalën edhe më herët është pikërisht pasi Glauk Konjufca kërkoi që me u votuar ajo që këta me marrë pjesë në votim”, tha Krasniqi, transmeton kp.

Në replikën e tij, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se nuk po e dëgjon opozita.

“Unë votova por problemi është që grupi parlamentar nuk po më dëgjon, kjo është punë edhe e autoritetit në fund të fundit, as opozita nuk po më dëgjon, askush nuk më dëgjoi, kështu që çka kam faj unë“, tha ai.

E me humor kryeparlamentari, Kadri Veseli ia ktheu deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca duke i thënë se i ka lëvizur autoriteti.

“Glauk të ka lëvizur pak autoriteti kohëve të fundit”, tha Veseli.

12:12

Kuvendi formon komision për përmirësim të procesit zgjedhor

Kuvendi i Kosovës me 70 vota pro e ka formuar komisionin ad-hock për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor, pas debateve për përzgjedhjen e anëtarëve të tij.

Në këtë seancë u miratua edhe kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018, për vazhdimin e mandatit edhe për një afat 30 ditor, megjithatë, nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme për të kaluar.

E për këtë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se do të ishte mirë që ky komision do ishte mirë që të vazhdonte punën e tij, pasi nuk është mirë që Kosova të sanksionohet me ndonjë rezolutë ndërkombëtare pa pasur nevojë

12:10

Kuvendi miraton mocionin për formimin e komisionit për krimet serbe në Kosovë

Kuvendi i Kosovës ka votuar mocionin për formimin e Komisionit të veçantë për të dënuar krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë.

Themelimin e këtij komisionin e kanë votuar të gjitha partitë politike dhe prej 68 deputetëve sa ishin prezent në seancë të gjithë votuan pro këtij komisioni.

Propozimin për komisionin për krijimin e një komisioni dhe rezolute për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë e bëri deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi. KsP

11:59

Haxhiu: Institucionet vendore nuk kanë pasur vullnet për t’i adresuar krimet nga Serbia

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se si parti politike do e mbështesin rezolutën dhe krijimin e komisionit ad –hock për sanksionet ndaj krimeve serbe në Kosovë.

Haxhiu tha se VV e mbështetë themelimin e një gjykate vendore, ashtu siç kanë kërkuar para votimi të Gjykatë Speciale.

Ajo tha se as UNMIK, as EULEX dhe as institucionet vendase nuk kanë pasur vullnet për t’i adresuar krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Përfaqësuesja jonë në këtë kuvend do t’i jap të gjitha qëndrimet e Vetëvendosjes të shkruara natyrisht propozimet tona, pra nga kjo seancë sot nuk mund të paragjykojmë se cili do të jetë qëndrimi i këtij komisioni ad-hock sepse u përmend nga ju një tribunal për krimet e Serbisë. Në fakt ne është dashur qysh moti ta kemi një Gjykatë të veçantë që trajton të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë siç kanë bërë të gjitha vendet e Ish Jugosllavisë, sepse ne jemi dëshmitar që as UNMIK, dhe as EULEX-i, por as institucionet vendase as minimumin e vullnetit për të adresuar krimet e kryera nga Serbia”, tha Haxhiu.

Përfaqësuese në komisioni ad-hock për sanksionet e krimeve serbe në Kosovë nga Vetëvendosje do të jetë Saranda Bogujevci./ KsP

11:33

Seanca nis me propozim për një rezolutë lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë

Vazhdimi i seancës ka nisur me propozimin e shefit të grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, që të formohet një komision ad-hock për të hartuar një rezolutë lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Ai tha se është koha që të krijohet një komision at-hock nga Kuvendi i Kosovës dhe të gjitha deklarimet publike të partive politike t’i bashkojnë në një rezolutë, lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

“ Duke pasur parasysh deklarimet publike të të gjitha partive politike sidomos kohëve të fundit lidhur me sanksionimin e krimit të gjenocidit në Kosovë nga Republika e Serbisë, nga shteti, nga ushtria, nga policia nga të gjitha segmentet e aparatit shtetëror represiv të Serbisë në Kosovë mendoj që tani është koha të krijojmë një komision ad-hock nga Kuvendi i Kosovës dhe të gjitha deklarimet publike të partive politike të hyjnë në një rezolutë të përbashkët. Unë kam një propozim rezolutë do ta shtoj një komision pastaj jemi të hapur për të plotësuar apo për ta hequr sido që ne ta shohim të arsyeshme si komision pastaj ta sjellim në Kuvend”, tha Sherifi, transmeton kp.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme