22:33

Basha mbyll protestën: Vulosëm fundin e qeverisë kriminale të Ramës

Rreth orës 22:00, Lulzim Basha vendosi të mbyllë protestën e opozitës, duke thirrur protestuesit para selisë së PD-së, ku mbajti edhe një fjalim para tyre.

Kreu i PD-së nuk ngurroi të falënderojë pjesëmarrësit në këtë protestë, të cilën ai e cilësoi si më të madhen në historinë e vendit.

“Sot ju keni vulosur në mënyrë të pakapërcyeshme, për të gjithë shqiptarët e ndershëm, largimin e Edi Ramës dhe të qeverisë së krimit. Ata u munduan ta shpërndanin protestën akoma pa filluar, por ne ia dolëm të ishim të jashtëzakonshëm. Qeveria kriminale dhe ilegjitime e Ramës, mbahet me paratë e krimit dhe të armiqve të popullit shqiptar, por asnjë tentativë e kundërligjshme, nuk ka për t’i mbajtur në pushtet ata, sepse fundi i tyre është vulosur.

Kryetari i Partisë Demokratike konfirmoi se rruga e protestave do të vijojë me të njëjtin intensitet, deri sa të bjerë qeveria e Edi Ramës.

“Ky bashkim i madh do të vijojë ditë e natë, pasi Edi Rama do të marrë përgjigjen e shqiptarëve në çdo kohë dhe në çdo vend. Ne do ta vijojmë këtë betejë, pasi jemi në rrugën e sigurt drejt çlirimit të vendit nga klika kriminale. ne jemi sot shumica morale, shumica fizike dhe shumica që do të ndryshojë njëherë e mirë fatin e vendit, duke rikthyer vlerat e vërteta të demokracisë”, tha Basha, transmeton Tch.

22:24

Mbyllet protesta, Basha thërret protestuesit në selinë e PD-së

Pas plot 4 orësh, opozita ka vendosur t’i japë fund protestës së tretë të madhe dhe të 9-ës në 8 javët e fundit, duke filluar nga 16 Shkurti i këtij viti.

Nën thirrjet “Rama Ik”, protestuesit erdhën nga e gjithë Shqipëria, për t’u grumbulluar para kryeministrisë, ku edhe ishte njoftuar mbajtja e protestës.

Gjithçka nisi me një fjalim të Lulzim Bashës, që konfirmoi edhe njëherë se opozita nuk ka ndërmend të ulet në tryezë me kryeministrin Rama dhe ka cilësuar qeverinë tranzitore, si rrugën e vetme për zgjidhjen e krizës./ Tch

Pas fjalës së liderit të PD-së, turma sulmoi dhe çau kordonin policor që siguronte perimetrin e godinës së kryeministrisë, ndërsa rreth orës 19:30, duke ndjekur kryetarin Basha, protestuesit marshuan drejt parlamentit.

Këtu pati përplasje të vazhdueshme mes policisë dhe protestuesve, të cilët disa herë u shpërndanë prej gazit lotsjellës, por u rikthyen sërish aty, deri rreth orës 22:00, kur Basha orientoi turmën drejt selisë së PD-së.

22:06

Vijon protesta në Tiranë, policia tenton të shpërndajë turmën

Vijon prej rreth 4 orësh protesta e opozitës së bashkuar, e cila pasi nisi para Kryeministrisë, është zhvendosur prej orës 19:30 para Parlamentit.

Aty janë hedhur në mënyrë të vazhdueshme sende dhe fishekzjarre drejt godinës, ndërsa policia është kundërpërgjigjur hera-herës me gaz lotsjellës.

Top Channel raporton se policia po tenton të shpërndajë protestën, pasi ka shtuar dozën e gazit lotsjellës, si dhe ka filluar përdorimin e makinave ujë-hedhëse.

Ndërkohë, në megafonë vijon të përsëritet thirrja për të mos shkaktuar akte dhune dhe për të mos protestuar me fytyrë të maskuar, ndërsa pasojat ligjore u janë kujtuar edhe organizatorëve.

Ende nuk dihet skenari i protestës, por ndërkohë që protestuesit vijojnë të rezistojnë, policia ka filluar të marrë terren, për të shpërndarë turmën

21:44

15 të lënduar në protestë, mes tyre edhe gazetarë

15 protestues të lënduar janë verifikuar deri tani, të cilët janë lënduar dhe disa të tjerë kanë patur probleme të rënda me frymëmarrjen. Organizatorët e protestës raportojnë po ashtu se mes të lënduarve ka edhe gazetarë.

Partia Demokratike ka publikua disa foto të fotografit Arben Dajçi, i cili është plagosur në protestë. Sipas PD ai është dhunuar nga policia.

Ndërsa raportohet se përveç plagosjes së efektivëve, qytetarë dhe pjesëmarrjes në protestë kanë humbur ndjenjat nga përdorimi i gazit lotsjellës./abcnews.al

20:12

Policia hedh gaz lotsjellës para parlamentit, shpërndahen protestuesit

Para disa minutash turma e protestuesve ka mbërritur para ndërtesës së parlamentit, ku kanë hedhur fishekzjarre e kapsolle drejt policisë duke përsëritur thirrjet “Rama Ik”.

Pas disa tentativash për të çarë rrethimin e policisë, kjo e fundit ka reaguar duke hedhur gaz lotsjellës ndaj turmës, çka solli shpërndarjen e tyre në rrugët përreth parlamentit.

Protesta e opozitës vijon që prej orës 18:00, kur nisi në bulevard, para godinës së kryeministrisë. Pas më tepër se një ore atje, turma erdhi drejt parlamentit, ku përqendrimi policor është më i ulët në numër./ Tch

19:40

Protestuesit ndjekin Bashën, nisin marshimin drejt Parlamentit

Pasi çanë kordonin e policisë në perimetrin e godinës së kryeministrisë, protestuesit kanë nisur tashmë marshimin drejt Parlamentit.

Ka qenë nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, që u bëri thirrje protestuesve që të ndjekin liderin Lulzim Basha, drejt godinës së parlamentit.

Kujtojmë që protesta ka nisur rreth orës 18:00 dhe vijoi me një fjalë të Lulzim Bashës, para se të hidheshin lëndë plasëse drejt policisë dhe të çahej rrethimi i kryeministrisë.

Ende nuk dihet skenari i protestës dhe se sa do të vijojë ajo, pasi opozita nuk ka njoftuar për një afat mbylljeje, ndërsa policia ka kërkuar që gjithçka të marrë fund brenda mesnatës./ Tch

19:33

Policia u bën apel protestuesve t'i zbulojnë fytyrat

Turma e protestuesve ka çarë menjëherë kordonin e forcave policore dhe ka hequr barrierat metalike rreth kryeministrisë, menjëherë pas fjalës së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Policia ka bërë thirrje me megafonë, duke kërkuar që protestuesit e maskuar të mos marrin pjesë në protestë, apel ky që ishte edhe për organizatorët e manifestimit opozitar.

Në megafonë dëgjohen gjithashtu edhe thirrje që qytetarët të protestojnë paqësisht, ndërsa u janë lexuar edhe pasojat ligjore, për aktet e dhunshme.

Ndërkohë, forcat e policisë janë pajisur me maskat kundërgaz, për të qenë të përgatitur për ndonjë ndërhyrje me gaz lotsjellës, për të shpërndarë turmën e protestuesve./ Tch

19:25

Çahet kordoni i policisë, protestuesit para derës së kryeministrisë

Menjëherë pasi ka përfunduar fjala e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, protesta u përshkallëzua dhe turma sulmoi rrethimin e perimetrit të godinës së kryeministrisë.

Pas shtyrjesh mes protestuesve dhe policisë, turma arriti të çajë kordonin e forcave të rendit dhe të futet në oborrin para derës së kryeministrisë.

Ndërkohë, protestuesit kanë hedhur bojë në muret e godinës së kryeministrisë dhe vijojnë të hedhin kapsolla e fishekzjarre, në drejtim të forcave të policisë.

Policia nuk ka reaguar ende për të shpërndarë protestuesit, ndërsa vijojnë thirrjet në megafonët përreth kryeministrisë, që protesta të vijojë paqësore./ Tch

19:05

Basha: Nuk ka kompromis me qeverinë e krimit

Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha iu bashkua protestës para kryeministrisë rreth orës 18:35, ndërsa më pas mbajti edhe një fjalim në drejtim të turmës së protestuesve.

“Lumi i sovranit e ka rrethuar ishullin e padrejtësisë, si kurrë më parë sonte. Jemi sot më shumë se kurrë më parë, më të bashkuar se kurrë më parë, më të fortë dhe më të vendosur se kurrë më parë, kundër krimit dhe korrupsionit”, tha kreu i PD-së.

Lideri i partisë Demokratike nuk ngurroi të përmendë sërish akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, për lidhje të tij të forta me krimin, por edhe për faktin se “u ka vënë fadromën pronave të shqiptarëve”, transmeton tch.

“Ky njeri do të hyjë në historinë e vendit, si kryeministri që u vuri fadromën shtëpive të shqiptarëve. Do të mbahet mend si kryeministri i kapur nga krimi i organizuar, që qeveris në favor të kriminelëve dhe kundër popullit të tij. Por ky popull sot nuk ka më frikë dhe jemi të gjithë të vendosur për t’i thënë “Rama Ik””, shtoi më pas ai.

Basha përsëriti vendosmërinë e forcës së tij politike, por edhe të gjithë protestuesve, se nuk do të bëjnë kompromis me kryeministrin Rama, duke ia adresuar mesazhin e tij edhe faktorit ndërkombëtar.

“Le ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota mbarë, se ne nuk do të bëjmë kompromis me qeverinë e krimit dhe votave të vjedhura. Ne nuk do të bëjmë kompromis me parimin themelor të demokracisë, që është vota e lirë, pasi e duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka marrëveshje, ndaj që sot e tutje ne e shpallim atë anti-shtetin, anti-ligjin dhe anti-drejtësinë. Që sot e tutje, ligji, shteti dhe drejtësia, janë sovrani i mbledhur në këtë shesh”, tha Basha.

18:44

Regjistrohen incidentet e para, hidhen tymuese në drejtim të kordonit policor

Një pjesë e mirë e protestuesve kanë mbërritur para kryeministrisë, ndërsa të tjerë pritet të vijnë nga momentin në moment.

Shumica e protestuesve janë grumbulluar para selisë së PD-së dhe do të ecin në bulevard, bashkë me liderin e opozitës, Lulzim Basha, transmeton tch.

Ndërkohë pa nisur ende mirë protesta, janë regjistruar incidentet e para, pasi disa protestues kanë hedhur tymuese në drejtim të kordonit policor.

Këtë herë ka një prani të madhe të flamujve të PD-së në duart e protestuesve, por edhe vuvuzela me ngjyrat e flamurit të Venezuelës.

18:10

Nis protesta e opozitës në Tiranë

Opozita në Shqipëri është rikthyer sërish në protestë për largimin kryeministrit Edi Rama, por ndryshe nga herët e tjera protesta e sotme zhvillohet pasdite.

Pankarta të shumta ku kërkojnë largimin e kryeministrit, por edhe çadra me mbishkrimin “Rama Ik”, vihen re në duart e protestuesve, që edhe sot pritet të jenë disa mijëra.

Nga momenti në moment, pritet që edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, bashkë me simpatizantët e kësaj force politike, të nisen nga selia e tyre, për t’u bashkuar me protestuesit para kryeministrisë, raporton Tch.

Leja për protestën e sotme nga opozita është marrë deri në orën 12:00 në mesnatë.

17:34

Protestuesit nisen drejtë Tiranës

Militantë të partive opozitare dhe jo vetëm, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, janë nisur në orët e pasdites së sotme drejt Tiranës, për t’iu bashkuar protestës së thirrur nga opozita atje.

Top Channel raporton se autobusë, por edhe mjete private, janë vënë në dispozicion të protestuesve për t’i transportuar drejt Tiranës.

Ndërkohë Policia ka ngritur pika kontrolli që prej ditës së djeshme në disa lokacione.