Arbëri

Shiu i këtyre ditëve s’ka ndikuar në rritjen e sasisë së ujërave

Sasia e reshjeve gjatë këtyre ditëve, më konkretisht dy javëve të para të prillit, nuk ka ndikuar në rritjen e sasisë së ujërave në lumenj e liqene, e për më tepër, nga shiu i paktë që ka rënë janë krijuar edhe thatësira.

Letafete Latifi, drejtore e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, tha për Koha.net se sasia e reshjeve ka arritur shumën totale në Pejë me 169.1 mm (l/m2), Mitrovicë 98.9 mm (l/m2), Prishtinë 94.1 mm (l/m2) ,Ferizaj 92.2 mm (l/m2) dhe Podujevë 35 mm (l/m2), që sipas Latifit, i bie se vlera mesatare e reshjeve gjatë këtyre dy javëve është 35.3 mm (l/m2). Të njëjtën periudhë të prillit të vitit 2018 sasia e reshjeve thotë se ka qenë në xxx mm (l/m2).

“Si rezultat i deficitit të reshjeve, niveli i ujërave në lumenj e liqene dhe në akumulacione ka pësuar rënie. Shiu i këtyre ditëve nuk ishte i mjaftueshëm që të plotësojë deficitin e krijuar për muaj, shpresojmë që të ketë reshje edhe në muajt në vazhdim që të plotësohet deficiti i krijuar”, tha ajo.

Latifi thotë se nga parashikimet e para të IHMK-së, pritet që muaji prill dhe maj të karakterizohen me reshje shiu.

“Parashikimet mujore afatgjate kanë probabilitet shumë të ulët, por nga të dhënat e monitorimit për periudhë më të gjatë në vitet paraprake dhe historike , muaji prill dhe maj karakterizohen me sasi më të madhe të reshjeve krahasuar me muajt e tjerë të vitit, por jo gjithherë po vlen e njëjta, rast konkret vitin e kaluar muaji me më së shumti reshje ka qenë qershori dhe korriku, gjë që nënkupton se shpërndarja e reshjeve në aspektin kohor dhe hapësinor ka pësuar ndryshime”, tha tutje Latifi për Koha.net.

Latifi kujton se gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 sasia e reshjeve e regjistruar nga të gjitha stacionet matëse në territorin e Kosovës, ka qenë mesatarisht 252.9 mm (l/m2), ndërsa gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2019 sasia e reshjeve e regjistruar ka qenë mesatarisht 99.4 mm (l/m2) nga shuma totale e reshjeve. Sipas Latifit, kjo nënkupton se ndryshimi i sasisë së reshjeve për të njëjtën periudhë ka qenë mesatarisht 153.5 mm (l/m2) ose 60% më pak reshje gjatë tremujorit të parë të vitit 2019.

“Sasia e reshjeve në tremujorin e parë të vitit 2019 ka shënuar deficit të reshjeve , i cili çon vendin në një gjendje me thatësi mesatare (moderate drought). Vlen të theksohet se në periudhën e njëjtë të vitit 2018 është shënuar suficit i reshjeve, i cili kishte çuar vendin tonë në një gjendje me lagështi mesatare të rritur (Moderately increased moisture) që është gjendje e kundërt me atë të vitit 2019”, tha Latifi.

Sipas parashikimeve nga IHMK, thotë Latifi, për javët në vazhdim parashihet të ketë mot të vranët dhe jostabil, i përcjellë me reshje të kohëpaskoheshme të shiut, ndërsa në viset malore nuk përjashtohen shtrëngata me breshnize dhe shkarkime rrufesh.

“Temperaturat do të lëvizin nga 3-15 ⁰C. Pjesa e dytë e këtij muaji parashihet të ketë më shumë orë me diell dhe më pak reshje. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 24 ⁰C, ndërsa minimalet do të ulen deri në 2 ⁰C. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes dhe jugperëndimit me shpejtësi deri në 19 m/sec”, tha Latifi.