Arbëri

Ministri serb i Kosovës i quan shqiptarët terroristë dhe masakrën e Reçakut trillim

Foto: MAPL
 

Ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq, në Zveçan, gjatë shënimit të 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, ka mohuar të ketë pasur masakër në Reçak, si dhe shqiptarët e Kosovës, që luftuan për çlirimin e vendit, i ka quajtur terroristë.

“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi për të cilat deri në ditën e sotme askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Prirjen e tyre përgjak e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, ka thënë Todosijeviq gjatë një tubimi në Zveçan për të shënuar 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, deklaratë të cilën e ka transmetuar Zëri i Amerikës, edicioni në gjuhën serbe, transmeton Koha.net.