Arbëri

KPK-ja zhgënjen britanikët në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit special

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e ka përfillur seriozisht ofertën e Ambasadës britanike që përmes partnerit për projektin e rekrutimit të marrin pjesë në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit special. Sipas një përgjigjeje për gazetën, Ambasada britanike ndihet e zhgënjyer me qasjen përjashtuese të Këshillit Prokurorial të Kosovës, që në këtë proces të përfshihen britanikët.

Në një përgjigje me shkrim, ky institucion ka demantuar KPK-në, e cila ditë më parë përmes një komunikate kishte thënë se e kanë pranuar partnerin e Ambasadës britanike që të marrë pjesë në rekrutimin për këtë pozitë, shkruan sot Koha Ditore.

“Ne vazhdojmë të jemi të zhgënjyer me vendimin e KPK-së për të mos pranuar ofertën tonë për mbështetje, që në vetvete do të përbënte një hap të vogël drejt ndërtimit të besueshmërisë publike ndaj KPK-së. Gjithsesi, Ambasada britanike vazhdon të jetë gati të mbështesë KPK-në, për të mbështetur rekrutimin bazuar në meritë, në të ardhmen”, thuhet në përgjigjën e Ambasadës britanike dhënë gazetës ditën e hënë.

Zyra për media e kësaj ambasade ka sqaruar se Këshilli Prokurorial i Kosovës që nga fillimi nuk kishte shprehur gatishmëri për bashkëpunim.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)