Për viktimat e dhunës seksuale kërkohet drejtësi nga Kombet e Bashkuara
Përdhunimet, konsiderohen ndër krimet më të tmerrshme që njeh njerëzimi dhe të cilat, si në shumë vende të botës ku kishte apo ka lufta e konflikte, ndodhën edhe në Kosovë gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 .
Mimoza (emër i njohur për redaksinë) është një nga 20 mijë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo është dhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe, në vitin 1999.
Në atë kohë Mimoza ishte 24-vjeçare dhe kujdesej për prindërit e saj. Por, për një ditë, jeta e saj mori një kthesë tjetër.
“Unë kam qenë fëmija i vetëm në familje. Nuk kam motër as vëlla. Për prindërit e mi kam qenë gjithçka. Në vitin 1999, kanë hyrë tre policë serbë në shtëpi dhe kanë filluar t’i rrahin prindërit e mi. Më pas janë kthyer nga unë dhe prej tre policëve, njëri para syve të prindërve më ka dhunuar. Prindërit e kanë përjetuar shumë keq. Mua më pas më kanë tërhequr zvarrë dhe më kanë lënë në rrugë. Edhe më kanë rrahur shumë”, kishte rrëfyer Mimoza në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në vitin 2017, shkruan rel.
Për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në vitet 1998-1999 po kërkohet drejtësi ndërkombëtare.
Në mesin e muajit të kaluar Bordi Drejtues i Grave të Kosovës, ka dorëzuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara peticionin e qytetarëve të Kosovës përmes së cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare.
Edita Tahiri, kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore, njëherësh ideatore e peticionit në Kosovë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se pas përpjekjeve që zgjatën plotë pesë vjet, është arritur që peticioni, në versionin elektronik, t’i dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
“Ka qenë takim ku kemi diskutuar për problemet lidhur me gratë e dhunuara gjatë luftërave në Ballkan, pra në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci. Shqetësimet tona kanë qenë se përse Ballkani është nën hije dhe nuk përmendet fare, sikur nuk kanë ndodhur luftërat. Dhe çështja e grave të dhunuara mbahet disi e fshehur, me tendencë apo pa tendencë”, tha Tahiri.
Ky peticion ishte nënshkruar në vitin 2014, nga më shumë se 110 mijë qytetarë në gjithë territorin e Kosovës, përjashtuar komunat e banuara më shumicë serbe. Synim i këtij peticioni ka qenë dhe mbetet që, siç thuhet, “kryesit e krimeve gjenocidale në Kosovë”, të dalin para organeve të drejtësisë.
SHKRIMIN E PLOTË MUND TA LEXONI NË RADION EVROPA E LIRË