Arbëri

VV: Votat për Rekën i hapin rrugë ndryshimeve të nevojshme e të shumëpritura prej qytetarëve

Foto: Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje është radhitur si mbështetëse e kandidaturës së Blerim Rekës për president në Maqedoninë e Veriut

Sipas këtij subjekti, Blerim Reka është kandidat i duhur për president, “duke marrë parasysh gjendjen jo të mirë të popullit shqiptar atje si dhe situatën e përgjithshme ekonomike dhe politike”.

Në një komunikatë për media, Vetëvendosje thotë se të gjithë që e kanë përcjellë veprimtarinë e Rekës, kanë krijuar mendimin se ai është person me integritet dhe përgjegjësi të lartë. Ndërkaq, sipas tyre, përgatitja e tij profesionale është konfirmuar në çdo vend që ai ka punuar.

Vetëvendosje thotë se Reka ka pasur pozicion të qartë në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar dhe përpjekjeve për liri, derisa, sipas tyre, përvoja e tij politike nuk ka munguar, duke theksuar angazhimin e tij në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vetëvendosje shpreh bindjen se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si dhe forcat politike shqiptare, mund të përparonin në realizimin e të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut duke mbështetur kandidaturën për President të Blerim Rekës.

“Vota e shqiptarëve, dhe jo vetëm, për Blerim Rekën për President, do t’i mund t’i hapte rrugë disa prej ndryshimeve të nevojshme e të shumëpritura prej qytetarëve”, ka thënë Vetëvendosje.