2 perditesime
20:13

Të dielën i jepet lamtumira Fetnete Ramosajt

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, në emër të këshillit organizativ të Komunës së tij dhe OVL të UÇK-së, njoftoi se varrimi i ish-luftëtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fetnete Ramosaj, do të bëhet të dielën në ora 14:00 në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.

Fillimisht, të dielën prej orës 12:00 do të bëhen homazhe pranë arkivolit në hollin e pallatit “Jusuf Gervalla” në Deçan.

Ndërsa, në ora 13:00 do të mbahet mbledhje komemorative në sallën e këtij pallati.

Më ketë rast, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, shprehu edhe ngushëllime për familjen dhe bashkëluftëtarët e Fetnete Ramosajt.

19:48

Thaçi: Fetnete Ramosaj afirmoi vlerat e UÇK-së

Edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi,në një telegram ngushëllimi ka thënë se Fetnetja ishte publiciste që afirmoi vazhdimisht vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Vdekja e hershme e bashkëluftëtares, veteranes dhe aktivistes së njohur Fetnete Ramosaj është humbje e madhe për familjen, miqtë dhe bashkëmendimtarët e saj. Fetnetja ishte publiciste që afirmoi vazhdimisht vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramosaj”, ka shkruar Thaçi.

Për vdekjen e Fetnete Ramosajt ka shkruar edhe kryetari i kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se ajo do të mbetet gjithmonë shembull i gruas shqiptare, që përkrah burrave, ishte aty ku e kërkonte ëndrra jonë e madhe për liri.

“Ftnete Ramosaj, zëri emblematik i luftës sonë çlirimtare, u nda nga ne. Vetëm fizikisht, sepse në kujtesën e bashkëluftëtarëve dhe të mbarë kombit, do të mbetet gjithmonë shembull i gruas shqiptare, që përkrah burrave, ishte aty ku e kërkonte ëndrra jonë e madhe për liri. Ngushëllime familjes dhe gjithë bashkëluftëtarëve që patën fatin të luftojnë me të për atdheun tonë”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Ndërkaq kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Ramosaj do të kujtohet përherë për zërin e saj autentik, duke raportuar nga frontet e luftës gjithandej vendit.

“Me dhimbje mora lajmin për vdekjen e hershme të ish-luftëtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fetnete Ramosaj. Do ta kujtojmë përherë atë, veçanërisht zërin e saj autentik, duke raportuar nga frontet e luftës gjithandej vendit. Në emrin tim personal i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramosaj, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Fetnetën. U prehsh në paqe Fetnete!”, ka shkruar Limaj.

Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së ish-luftëtares së UÇK-së.

Në telegramin e ngushëllimit, thuhet se e ndjera gjithnjë ishte e palëkundur në idenë shqiptare dhe e palodhshme në luftën për liri e edukim brezash.

“Me dhembje të thellë mori lajmin për vdekjen e hershme të shkrimtares, publicistes dhe bashkëluftëtares sonë Fetnete Ramosaj. Ajo, gjithnjë ishte e palëkundur në idenë shqiptare dhe e palodhshme në luftën për liri e edukim brezash. I shprehim ngushëllime familjes, bashkëluftëtarëve, shokëve dhe miqve”, thuhet në ngushëllimin e OVL të UÇK-së.

17:39

Vdes zëri i UÇK-së Fetnete Ramosaj

Ka vdekur aktivistja e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithëpopullore në Kosovë, Fetnete Ramosaj, e cila ka qenë pjesëmarrëse aktive në luftën çlirimtare.

Lajmin e ka bërë të ditur organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, dega në Deçan, ku ka shkruar se “është pikëllues lajmi se paska ndërruar jetë bashkëluftëtarja ynë zëri i UÇK-së, Fetnete Maxhun Ramosaj. Tërë jetën qëndroi e palëkundur në idenë shqiptare dhe e palodhshme në veprim për lirinë e Atdheut. Do të kujtohesh ndër breza”.

E për vdekjen e Ramosajt ka shkruar edhe kryeministri Ramush Haradinaj në Facebook, që thotë se ndihet krenar që e ka njohur dhe ka punuar me të.

“I rëndë lajmi për humbjen tënde, Fetnete. Ishe zëri i ushtrisë në luftë, penda e historisë sonë pas luftës. Zë i ndërgjegjes së popullit tonë. Krenar që të njoha, luftuam e punuam bashkë. Lamtumirë!”, ka shkruar Haradinaj.

Fitnete Ramosaj, u lind më 1972, në Deçan. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Deçan. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, Fakultetin dhe studimet pasuniversitare në Prishtinë. Ka magjistruar në shkencat e sigurisë, transmeton kp. 

Që nga viti 1989 ishte pjesëtare aktive e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithëpopullore në Kosovë. Ka qenë pjesëmarrëse aktive në luftën çlirimtare, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), veç tjerash, ka kryer detyrën e Zëdhënëses së UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit. Njëkohësisht ka raportuar edhe për Agjencinë e Lajmeve të Kosovës "KosovaPress", Radion "Kosova e Lirë", Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), etj.

Ka bashkëpunuar me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve "Zëri i Amerikës", "Deutsche Welle", "BBC" dhe me shtypin shqiptar të kohës në Kosovë, Shqipëri e diasporë.

Ka qenë bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës "Zgjimi", Deçan (1991-1997); bashkëpunëtore dhe anëtare e redaksisë së gazetës "Zëri i Kosovës", Zvicër/Prishtinë (1995-2001); bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës së parë ushtarake në Kosovë "Ardhmëria" - Organ i Zonës së Tretë të Mbrojtjes (1999-2001); redaktore në gazetën javore "Fokus", Prishtinë (2003-2007), etj.

Është autore e disa fejtoneve e dhjetëra shkrimeve publicistike, të botuar në shtypin legal e ilegal të kohës që nga viti 1991 e këndej; recensuese, lektore dhe redaktore e disa librave publicistikë, historikë e të çështjeve të sigurisë; pjesëmarrëse me kumtesa shkencore në disa simpoziume e konferenca shkencore ndërkombëtare, etj.

Është autore e librave:

DEÇANI (Monografi), në bashkautorësi me Faton Mehmetaj, botoi "Zgjimi", Deçan, nëntor 1997, 528 f.

"Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI - Me fakte kundër shpifjeve" / "Serbian crimes in Kosova - WITHOUT APOLOGY - Facts Against Defamations" (Vëllimi i Parë, shqip/anglisht), botoi "Fokusi", Prishtinë, 2005. Ribotuar në të njëjtin vit në 10 mijë kopje, 350 f.

"Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve", (Vëllimi i Dytë), botoi "Anatema", Prishtinë, 2008, 442 f.

"Serbian crimes in Kosova – Without Apology – Facts Against Defamations", (The Second Volume), botoi "Anatema", Prishtinë, 2008, 446 f.

"Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë", botoi ISGJS, Prishtinë, 2013, 183 f.

"Serbian extremist organizations in Kosova", botoi ISGJS, Prishtinë, 2015.