Arbëri

Telekomi refuzon t’i japë dokumente Komisionit Hetimor për PTK-në

Foto: Koha

Telekomi i Kosovës ka refuzuar t’i japë dokumentet e kontrata të kërkuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar për PTK.

Kryeshefi Bedri Istrefi, është thirrur në konfidencialitetin e kontratave kur ka refuzuar një gjë të tillë.

Visar Ymeri nga PSD-ja, ka thënë se kanë kërkuar dokumentacionin nga menaxhmenti i Telekomit .

“Kemi marrë përgjigje nga Bedri Istrefi ku thuhet se për shkak të vëllimit të madh të dokumentacionit nuk kanë mundur që për 3 ditë me i sjellë dokumentet ku kanë kërkuar afat shtesë”, ka thënë Ymeri, raporton KTV.

Ai tha se është e papranueshme që menaxhmenti i ka treguar komisionit se çka të bëjë me këtë dokumentacion.

Ymeri tha se nuk kanë pranuar asnjë dokumentacion nga Telekomi.

Armend Zemaj nga LDK, kërkoi nga kryesuesi i komisionit që t’i drejtojë Telekomit një letër urgjente për t’u treguar se me çka do të përballen nëse pengojnë hetimin nga ana e komisionit.

“Çdo pengesë do të marrë pasojat penale ashtu siç e sheh kodi penal dhe kodi i procedurës penale”, tha ai.

Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes, kritikoi çasjen e kryeshefit karshi Kuvendit ku tha se ai vazhdon të mos i përgjigjet thirrjeve të deputetëve.

“Ne duhet ti ndjekim të gjitha hapat ligjor për të parandaluar që kjo të mos ndodhë më tutje”, tha ajo.