Arbëri

Enver Hasani mbetet nën hetime - këtë e quan shkelje kushtetuese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, vazhdon të ketë probleme me drejtësinë.

I bindur se nuk kishte më çështje të hapura, Enver Hasani tregon se aplikoi për disa dokumente personale dhe për vizë, por i doli problem, raporton KTV.

Atij i është thënë se ende po hetohet nga Policia e Kosovës.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka dalë i pafajshëm në dy procese gjyqësore, i konsideron shkelje kushtetuese dy kallëzime penale të bëra tash e disa vite, të cilat ende nuk kanë marrë epilog përfundimtar.

Ndërsa për kallëzimin penal të bërë 7 vjet më parë, Hasani thotë të mos e ketë idenë fare për çfarë vepre është duke u hetuar.

Policia e Kosovës ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se në momentin kur kallëzimet penale përcillen në Prokurori, përgjigja duhet të kërkohet aty.

“Për sa i përket kërkesës suaj lidhur me kallëzimet penale, ju njoftojmë se në momentin e ngritjes së kallëzimit penal, lënda përcillet tek organet kompetente të drejtësisë, andaj për përgjigje në pyetjet tuaja, ju mund t’u drejtoheni organeve të drejtësisë”, thuhet në përgjigjen nga Policia e Kosovës.

Por, kur është pyetur nga KTV-ja, Prokuroria Themelore në Prishtinë, megjithëse pranoi fillimisht të japë sqarime për këto lëndë, më vonë nuk e bëri një gjë të tillë.

Ndryshe, lënda për kallëzimin penal të rremë ndaj Enver Hasanit, e ngritur nga policia, ka pasur një histori refuzimi nga prokurorët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Tre prokurorë kishin refuzuar ta shqyrtonin këtë lëndë me arsyetime të ndryshme, derisa Hasani u padit për deklarime të rreme, në rastin ku ishte i përfshirë kryeprokurori Aleksandër Lumezi.