Arbëri

Shkollat në pushim pranveror – nuk iu bindën urdhrit të MASHT-it

Shumica e shkollave të Kosovës nuk i janë bindur vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, për t’i zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës. Pjesa më e madhe e institucioneve të nivelit parauniversitar e kanë respektuar vendimin e Këshillit Drejtues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që të nisë pushimi pranveror e të mos zëvendësohen orët. Sipas Udhëzimit administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/2019, pushimi pranveror llogaritet nga data 30 mars deri më 8 prill.

SBASHK-u i ka mbledhur të hënën në një takim kryetarët e niveleve komunale të Sindikatës. Sipas deklarimeve që janë bërë në këtë takim, vetëm në Obiliq dhe Gjakovë është mbajtur mësim, në pak shkolla, derisa pjesa më e madhe kanë pasur pushim. Kryetarët e niveleve komunale të Sindikatës kanë thënë se janë përballur me presione të shumta nga drejtoritë komunale, por që, edhe përkundër kësaj, drejtuesit e shkollave kanë vendosur të mos mbajnë mësim, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, gjatë këtij takimi ka deklaruar se mësimdhënësit dhe shkollat e kanë dëgjuar thirrjen e Sindikatës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)