Arbëri

Kosnett: SHBA-ja e pret sivjet marrëveshjen Kosovë-Serbi, vonesa mund ta humbë përkrahjen tonë aktuale

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett ka deklaruar se SHBA-ja është e përkushtuar në ofrimin e mbështetjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Kosnett në intervistën për “Radio Kontakt Plus”, ka thënë se durimi i SHBA-së ka gjithmonë kufij dhe se nuk mund të garantojë se Washingtoni edhe në të ardhmen do të jetë po kaq i përkushtuar nëse qeveritë e dy vendeve dëshirojnë të ecin përpara më shpejt, transmeton Koha.net.

“Durimi ynë ka gjithmonë kufij. Një gjë që ua kemi thënë dy qeverive, në Kosovë dhe në Serbi, është se SHBA-ja i përkushtohet ofrimit të përkrahjes në proces. Presidenti Trump, siç e dini, u ka shkruar letra presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq se SHBA-ja është krejtësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi”, ka thënë Kosnett, citon b92.

Ai ka tërhequr vërejtjen se nëse qeveritë e dy vendeve nuk duan të ecin përpara sa më shpejt dhe thonë “e po mirë, jemi të gatshëm brenda disa viteve”, atëherë nuk mund të garantohet se Washingtoni edhe në të ardhmen do të jetë po kaq i përkushtuar sa është dhe tani.

Duke folur për taksën e Kosovës vënë ndaj mallrave të Serbisë e të Bosnjë e Hercegovinës , ai ka thënë se Qeveria amerikane edhe më tej beson se heqja e taksës është një hap i rëndësishëm që dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë sërish të vazhdojë dhe kjo gjë është thënë tash e disa herë.

“Ajo që e kemi thënë, ajo që Qeveria ime e ka thënë, është se ne mendojmë se Kosova e Serbia në vitin 2019 duhet të arrijnë te marrëveshja gjithëpërfshirëse, duhet t’i shikojmë të dy palët të kthyera në tavolinën e bisedave dhe që dialogu të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundshme. Nuk dua që procesin ta lidh me ndonjë datë qëllimisht të caktuar”, ka thënë Kosnett.

Ai ka vlerësuar se bisedimet për bashkimin e Mitrovicës jugore dhe asaj veriore aktualisht nuk janë as konstruktive dhe as produktive, ndërsa ka shtuar se e kupton shqetësimin e serbëve për paralajmërimet e bashkimit të Mitrovicës, për Trepçën dhe statusin e Universitetit të Prishtinës në Mitrovicën veriore.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, dje ka qëndruar në Mitrovicën veriore dhe atje është takuar me përfaqësues të Listës Serbe, të Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, OJQ-ve dhe me gazetarë.