13:45

Thaçi: Serbia bëri gjenocid e spastrim etnik në Kosovë

Në 20 vjetorin e krimit të policisë dhe ushtrisë serbe në Izbicë, presidenti Thaçi kujtoi 147 të rënët nga Izbica dhe vendbanimet përreth saj.

“Kujtojmë gjithë martirët dhe viktimat e terrorit të shtetit të Serbisë në vitet 1998, 1999. I kujtojmë ata që u vranë dhe u masakruan vetëm pse ishin shqiptarë. Njerëz të paarmatosur, pleq, gra, burra, fëmijë, të rinj e të reja që u vranë në vatrën dhe në tokën e tyre gjithandej Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Image

Ai shtoi se Kosova kurrë nuk do t’i harrojë tragjeditë në Likoshan, Çirez, Prekaz, Abri, Reçak, Celinë, Krushë, Rezallë, Qyshk, Poklek, Studime, Mejë dhe shumë vendbanime të tjera.

“Shteti i Serbisë bëri gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë. Dëboi qindra mijë shqiptarë jashtë Kosovës. Dogji dhe plaçkiti pasurinë e qytetarëve tanë. Asnjëherë nuk do të harrohen përmasat e krimeve të Serbisë mbi popullatën e Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se Kosova sivjet shënon njëzetvjetorin e çlirimit.

Kjo ditë, sipas tij, nuk do të vinte pa luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nuk do të vinte pa sakrificën dhe gjakun e dymijë dëshmorëve dhe mijëra martirëve. Lufta e drejtë e popullit tonë u përkrah nga shtetet e demokracisë botërore, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga shtete të BE-së dhe NATO. Liria dhe pavarësia e Kosovës themelet i ka tek sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve të saj”, u shpreh ai.

Në këtë Akademi Përkujtimore, presidenti Thaçi theksoi se do t’i ruajmë dhe kultivojmë marrëdhëniet me shtetet e botës perëndimore, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai potencoi se Kosova është e sigurt në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe do të bëhet pjesë e BE-së, NATO-s dhe OKB-së.

13:41

Limaj në përvjetorin e masakrës se Izbicës: Kryesit e krimeve të dalin para drejtësisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka kujtuar në 20-vjetorin e saj masakrën e Izbicës.

Limaj ka thënë se në këtë përvjetor kujtojmë civilët e pafajshëm të moshave e gjinive të ndryshme të vrarë nga forcat ushtarake e policore serbe. “20 vite pas kësaj masakre, kryerësit e këtyre krimeve ende nuk kanë dalë para drejtësisë”, ka shkruar Limaj në llogarinë e tij në Facebook.

Limaj ka thënë se si Qeveri, por edhe si delegacion Shtetëror nuk do të heqin asnjëherë dorë së kërkuari drejtësi për sa kohë që kryerësit e krimeve në Kosovë nuk e marrin dënimin e merituar.

Shkrimi i plotë i Limajt:

Janë bërë sot 20 vjet nga masakra e Izbicës, ku forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe vranë 147 shqiptarë të Kosovës. Më 25, 26, 27 mars 1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte bërë rezistencë heroike ndaj forcave serbe, ndërsa të dielën më 28 mars, forcat serbe në shenjë hakmarrje vranë dhe masakruan mizorisht 147 veta. Masakra e Izbicës zuri vend edhe në raportin e Departamentin amerikan të shtetit ku u publikuan edhe fotografitë e bëra nga sateliti, në të cilat qartë shihen 147 varrezat e reja në Izbicë. Mizoria tjetër e pushtuesit serb ishte zhvarrimi i trupave duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosove e Serbi. Si zëvendëskryeministër dhe bashkëkryesues i delegacionit shtetëror në bisedimet me Serbinë do të bëjë çmos që kryesit e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë dhe të dihet fati i të pagjeturve. Lavdi e përjetshme martirëve, i përjetshëm kujtimi për ta.

12:36

Veseli: Kosova s’do të harrojë kurrë masakrat në Izbicë dhe në gjithë Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka bërë homazhe në fshatin Ibzicë të Skenderajt në kujtim të viktimave të masakrës që forcat serbe kryen në këtë vend 20 vite më parë.

Image

Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Kosova nuk do të harrojë kurrë masakrat e kryera nga Serbia pasi harresa është shërbim ndaj atyre që bënë krimin në Izbicë, e në sa e sa fshatra të Kosovës.

“Sot është dita e Izbicës. Ne kurrë nuk do të harrojmë, sepse harresa është shërbim ndaj atyre që bënë krimin në Izbicë, e në sa e sa fshatra të Kosovës. Nuk do ndalemi asnjëherë, derisa të ketë drejtësi për Izbicën. Drejtësi për dhjetëra masakra që u kryen mbi popullin tonë gjatë luftës. Vetëm drejtësia i shëron plagët e së kaluarës, ndërsa dëshmorët mbesin përgjithmonë themeli mbi të cilin qëndron shteti ynë i pavarur dhe sovran”, ka shkruar Veseli.

10:43

Haradinaj: Masakra e Izbicës, dëshmi se liria jonë ka një çmim shumë të madh

Image

“Masakra e Izbicës është një tjetër dëshmi e rrugës tonë drejt lirisë, një rrugë vërtetë e dhimbshme”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi bëri homazhe tek varret e 147 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në Izbicë, në 20 vjetorin e rënies së tyre.

Kryeministri Haradinaj në mesazhin e tij kujtoi viktimën më të re të kësaj masakre.

"Një nga viktimat e kësaj masakre ishte edhe Dafina, një vajzë e vogël, më pak se një vjeçe. Kjo dëshmon që Izbica ishte një ndër masakrat më makabre, që kanë ndodhur në Kosovë dhe të tilla, për fat të keq, ka në të gjithë vendin", tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo masakër vërtetë është dëshmi se liria jonë ka një çmim shumë të madh, shumë të shtrenjtë dhe duhet të ruhet nga të gjithë, të ruhet e të forcohet.

"Lavdi e përjetshme të rënëve në Izbicë, por edhe për të rënët kudo në atdheun tonë", tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe gjithë qytetarët, që sot po nderojnë martirë, viktimat, civilët e luftës në këtë 20-vjetor, tha se masakra e Izbicës është e njohur në mbarë botën.

"Duke nderuar të rënët, nderojmë vetveten dhe nderojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Lavdi e përjetshme për gjithë ata që ranë, që ne sot të jemi të lirë", tha kryetari Jashari.

Po sot, kryeministri Haradinaj do të marrë pjesë në akademinë përkujtimore në kujtim dhe nderim të viktimave të Izbicës.

08:21

Sot shënohet 20-vjetori i masakrës së Izbicës

Sot bëhen 20 vjet që kur ndodhi masakra e Izbicës, ku nga forcat policore e ushtarake të armikut u vranë 147 shqiptarë.

Më 28 mars 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan mizorisht 147 shqiptarë në Izbicë të Skenderajt.

Masakra e Izbicës zë vend edhe në raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Atë kohë u publikuan edhe fotografitë e bëra nga sateliti, në të cilat qartë shihen 147 varrezat e reja në Izbicë, shkruan ksp.

Pas masakrës, kufomat e të vrarëve, i varrosen fshatarët e kësaj ane në fshatin Izbicë, por forcat serbe i zhvarrosën kufomat duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi.

Sot, në të gjitha shkollat e Komunës së Skenderajt, ora a parë e mësimit i kushtohet masakrës së Izbicës.

Me fillim prej orës 09:00 krerët më të lartë të vendit dhe qytetarë të tjerë do të bëjnë homazhe kompleksin e varrezave në Izbicë.

Ndërsa prej orës 12:30 do të mbahet edhe një akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar.