Maloku: Trysnia amerikane mbi Presidencën për KQZ-në, sinjal për zgjedhje të reja

Maloku: Trysnia amerikane mbi Presidencën për KQZ-në, sinjal për zgjedhje të reja

26 March 2019 21:28

Për profesorin universitar Fadil Maloku, trysnia amerikane mbi Presidencën për të zgjidhur nyjën në Komisionin Qendror Zgjedhor, është sinjal evident se në Kosovë shpejt do të ketë zgjedhje të reja.

Ish-anëtari i KQZ-së, nga AKR-ja e Behegjet Pacollit, ka thënë se “meqë më në fund, me insistimin dhe trysninë e ambasadorit amerikan, po fillon dekretimi i anëtarëve të KQZ-s (se për Presidentin aktual, kjo punë kishte me zgjatë në pakufi!), që është edhe obligim ligjor dhe kushtetues, atëherë, me këtë trysni të Zyrës amerikane, sipas gjitha gjasave do të kemi zgjedhje nacionale”.

“Padyshim që edhe presioni i brendshëm nga ana e subjekteve politike, për neglizhencën e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-s, ka bërë që Presidenca ta shpejtojë procedurën e emërimit dhe dekretimit të anëtarëve të rinj. Është absurde të debatohet apo edhe të insistohet për zgjedhje, pa institucionin kompetent sikurse është KQZ-ja. Kujtoj që gjithë ky vakum i gjertanishëm ishte i qëllimshëm, edhe për një arsye të thjesht dhe formale; sepse, nga 11 anëtarë 6 duhet të jenë shqiptarë, kurse, 4 minoritarë (shih absurdin; me 40% përfaqësim minoritar!?), ku sipas Ligjit aktual, partia që fiton më së shumë vota në zgjedhje nacionale, e ushtron të drejtën e përfaqësimit me 2 anëtarë”, ka shkruar Maloku.

Kjo sipas tij nënkupton se “fuqia e tyre në çdo vendimmarrje (sidomos në temat politike) në KQZ- dyfishohet!”.

“Shto kësaj edhe 4 vota minoritare, që zakonisht me fuqinë e inercionit të interesit, shkojnë në anën e partive të mëdha, atëherë është e qartë që ndikimi u rritet këtyre subjekteve, edhe ashtu të fuqishme! Definitivisht mendoj që as Ligji aktual zgjedhor, e as përfaqësimi aktual nuk janë pasqyrë reale, as e përfaqësimit politik, e as e forcës reale të secilit subjekt politik në Kosovë”, ka përfunduar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme