Arbëri

Limaj takon të mbijetuarin e masakrës së Suharekës, Gramoz Berishën

Foto: Fatmir Limaj / FB

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëdrejtues i Delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, ka pritur në takim, Gramoz Berishën, i cili i kishte mbijetuar një prej masakrave më të rënda të kryera nga forcat serbe në Kosovë – atë të Suharekës.

Limaj ka shkruar në Facebook, se para 20 viteve atij iu vranë nga forcat serbe babai, motra, vëllai, tre axhallarë me familjet e tyre dhe shumë kushërinj.

“Prej 48 viktimave, 24 ende janë të pagjetur. Forca që sot e ka Gramozi na e rikujton obligimin që kemi ndaj drejtësisë dhe vendit. Ky rast është dëshmia më e mirë se si Serbia ka manipuluar me drejtësi të rrejshme dhe dëshmon nevojën që ne të kemi drejtësi të paanshme”, ka shkruar Limaj.

Në cilësinë e kryesuesit të dialogut shtetëror, Limaj thotë t’i ketë premtuar Gramozit se “nuk do të lëmë gur pa lëvizë që drejtësia të vije në vend”.