Punësimet partiake dhe familjare në institucionet shtetërore po arsyetohen nga vetë përfaqësuesit e partisë në pushtet.
Time Kadrijaj, deputete e partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK, thotë se punësimi i familjarëve apo partiakëve tashmë është praktikë e partive në pushtet dhe madje sipas saj, Aleanca po e bën këtë në masë tejet të vogël karshi asaj çfarë ndodhi me vite.
Vetëm 1 për qind në nivel qendror, thotë Kadrijaj, të jenë të punësuar nga Aleanca.
“Merrni studioni të gjitha Ministritë dhe keni me pa çfarë shifrash keni me dal. Në njëfarë studimi që e kishin bërë organizata Çohu, aty dalin goxha do statistika të mira se kush ka punësu e kush jo”, ka thënë ajo në Rubikon të KTV-së.
“Le të hulumtohen prej 20 vitesh kush kënd e ka punësuar dhe ka me dal që Aleanca ka punësu më së paku”, ka shtuar më tej ajo.
Gazetarja e KTV-së, Ardiana Thaçi Mehmeti e cila ka filluar publikimin e punësimeve në institucionet shtetërore bëri të ditur se në Telekomin e Kosovës, 50 për qind e të punësuarve të rinj janë të Aleancës për të vazhduar me partitë tjera.
“Për mua si një qytetare, për familjarët dhe të gjithë ata që presin një vend pune është dëshpëruese. Unë i kam dy fëmijë dhe të tretin po e pres dhe jam duke e shqyrtuar nëse do të rri në këtë vend ku AAK-ja e merr shumë normale punësimin e tillë”, ka thënë ai.
“Janë edhe 30 për qind e popullatës të pa punësuar, ndoshta 20 prej tyre nuk janë pjesë e asnjë partie politike. Gabimi më i madh që mund ta bëjë një institucion është kontrata mbi vepër”, ka thënë ajo.
Deputetja Kadrijaj akuzoi edhe deputeten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiun për punësimin e vëllait të saj në Postë.
Mirëpo, Haxhiu, i tha se vëllai ishte punësuar para 10 viteve dhe nuk është e as nuk ishte pjesë e asnjë partie politike.
“Para 10 vjetësh është punësuar vëllai im në Postë. Askund s’ka qenë dhe as tash nuk është në parti. Nuk është as në Vetëvendosje”, ka thënë Haxhiu.