Arbëri

Me vend pune në BQK bëhet edhe Vjosa Muçaj-Ademi, kunata e kryeministrit

Një tjetër kunatë e kryeministrit Ramush Haradinaj ka gjetur vend së fundi në institucionet publike.

Pas punësimit të gruas së vëllait, Vesmira Haradinaj, në Telekom, tani motra e bashkëshortes së kryeministrit, Vjosa Muçaj Ademi është punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës.

Ajo, që nga fundi i vitit 2018, është duke punuar në Bankën Qendrore të Kosovës, si zyrtare për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Institucioni më i lartë financiar në Kosovë, ka pranuar se Muçaj-Ademi është punonjëse e këtij institucioni por, sipas tyre, ajo u inkuadrua aty përmes procedurave të rregullta të punësimit.

“Lidhur me Vjosa-Muçajn, ju informojmë se është punësuar në BQK sipas konkursit të shpallur më datë 9 tetor 2018, në pozitën Zyrtar për sigurinë dhe shëndetin në punë, Departamenti i Administratës. Ju informojmë se e punësuara, para punësimit në BQK, ka pasur përvojë pune në institucionet financiare më tepër se 12 vjet dhe, së fundmi, ka punuar si zyrtare e lartë në Burime Njerëzore, në njërin nga institucionet financiare në Kosovë”, ka thënë BQK-ja.

Në njoftimet që BQK-ja ua ka dërguar kandidatëve që kanë konkurruar në pozitën e Zyrtarit për Siguri dhe Shëndet në punë, të siguruar nga KTV-ja, rezulton se procedurat e këtij konkursi u mbyllën më 3 dhjetor të vitit 2018, apo saktësisht 2 muaj pasi BQK-ja thotë se kishte nisur procedurat e këtij konkursi.

Personat që kanë qenë pjesë e konkursit, i kanë bërë të ditur KTV-së se nuk kanë bërë fare ankesë, pasi gjatë procedurave të testimit e kanë kuptuar se muaj më parë, kjo pozitë ishte rezervuar për kunatën e kryeministrit Haradinaj.

Muçaj-Ademi i ka thënë KTV-së se ka një përvojë pune mbi 13-vjeçare në NLB dhe ka konkurruar e është përzgjedhur me procedura të rregullta në atë pozitë.

Ajo ka thënë se punësimi i saj në BQK nuk ka të bëjë me faktin se kryeministrin Haradinaj e ka dhëndër, por ka ndodhur për shkak të përkushtimit të saj maksimal në punë.

“Lidhja ime familjare ka rastisur, pasi që unë kam menduar edhe vite më parë ta ndërroj punën, por me qëllim deri në zëvendësimin tim nuk kam mundur ta lëshoj NLB Bankën, për shkak të mirëkuptimit që kam pasur me menaxhmetin e NLB-së. Mbi të gjitha, secili prej nesh ka dëshirë me pasë një punë me orar fiks e, për më tepër, kur je nënë dhe ke obligime të shumta ndaj familjes”, ka thënë për KTV-në, Vjosa Muçaj-Ademi

BQK-ja ka potencuar se është duke i kryer funksionet e veta me një numër relativisht të vogël punonjësish.

“Në vitin 2015, BQK-ja ka pasur 215 të punësuar; në vitin 2016 ka pasur 217 të punësuar; në vitin 2017 ka pasur 216 të punësuar dhe në vitin 2018, numri i të punësuarve në BQK ishte 218. Edhe njëherë, theksojmë se proceset e rekrutimit në BQK zhvillohen në pajtueshmëri të plotë me të gjitha standardet e rekrutimit transparent dhe objektiv dhe nuk ka vend për ndikime të jashtme,” thuhet në fund të përgjigjes së BQK-së.

Institucioni kryesor financiar, për shumë vjet ka shërbyer për punësime të familjarëve të shumë figurave politike nga të gjithë partitë politike.