Arbëri

Në përgatitje për Komisionin Hetimor, Ymeri tregon se çka e shkatërroi PTK-në

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka njoftuar se është takuar me Sindikatën e Telekomit të Kosovës në kuadër të përgatitjeve për Komisionin hetimor për gjendjen në PTK.

Ymeri përmes një postimi në Facebook ka thënë se degradimi i PTK-së ka historik të gjatë. Sipas tij, kontratat me palët e treta si ajo me Z-Mobile, janë faktorët kryesorë në degradimin e kësaj ndërmarrje.

“Gjendja në PTK është jashtëzakonisht shqetësuese. Degradimi i kësaj ndërmarrje, ndër më të rëndësishmet publike të Republikës së Kosovës, ka një historik të gjatë me intensitet të ndryshëm, periudhë pas periudhe. Kontratat me palët e treta, të cilat Telekomi i ka me bollëk (Z Mobile e të tjera), janë faktori që më së shumti kanë ndikuar në këtë degradim”, ka shkruar Ymeri, përcjell Koha.net.

“Kur këto kombinohen me punësimin enorm nepotist, pa kurrfarë arsye e për nevoja familjare, klanore, partiake, si dhe me intervenimet qeveritare në pengimin e ndaljen e projekteve zhvilluese, atëherë rezultati nuk mund të jetë ndryshe nga ai të cilin e kemi sot në PTK. Këto dhe faktorët e tjerë përcjellës do të jenë subjekt hetimi të Komisionit hetimor”, ka shtuar më tej ai.