Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, e ka paralajmëruar Bordin e Telekomit se do ta shkarkojë, nëse vazhdohet gjendja e njëjtë e instalimit të nepotizmit dhe punësimeve të shumta.
Burime të KTV-së, kanë thënë se ministri është duke mbledhur fakte që kur ta propozojë vendimin në Qeveri, t’i miratohet.
Sipas të njëjtave burime, këtë qëndrim ia ka bërë të ditur edhe vetë Bordit të Telekomit, i cili është arsyetuar se punësimet janë bërë nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje e jo nga Bordi.
Por, paralajmërimet për shkarkim Bordi i ka marrë si kërcënime dhe me tendencë nga ministri Lluka, të cilin e kanë akuzuar për mosbashkëpunim.
Përmes një komunikate për media, ky Bord e ka akuzuar Llukën për dhënie të deklaratave në kohën e marrjeve të vendimeve shumë të rëndësishme për ndërmarrjen.
Ndërkaq, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit Lluka, i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se ministria që ai drejton do të kërkojë përgjegjësi nga çdo bord i ndërmarrjeve publike për keqmenaxhim.
“Bordi duhet të merret me menaxhimin e ndërmarrjes në fjalë, të sigurohet që punësimet e jashtëligjshme të ndalohen, të rishikojë kontratat e dëmshme si dhe të adresojë humbjet e mëdha që kjo ndërmarrje po i realizon ... dhe jo të merret me politikë”, ka shkruar ministri Lluka.
Bordi i Telekomit ka akuzuar edhe mediat, duke thënë se po ndikojnë negativisht dhe direkt po e dëmtojnë kompaninë.
KTV-ja ka raportuar disa javë radhazi në disa hulumtime të ndara për punësimet në Telekom të njerëzve të afërt me partitë në pushtet, veçanërisht AAK-në.