Arbëri

Zyra e kryeprokurorit të Shtetit reagon ndaj deklaratës së deputetes Albulena Haxhiu

Zyra për komunikim publik e kryeprokurorit të Shtetit përmes një sqarimi reaguar ndaj deklaratës së deputetes së Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, sipas të cilës kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ”si bartës i institucioneve të drejtësisë nuk po e zbaton ligjin”, duke iu referuar ushtrimit prej tij të funksioneve publike.

Vetëvendosje thotë se të thirrurit për të luftuar krimin e korrupsionin nuk po e zbatojnë ligjin

Në sqarim thuhet:

Duke e respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes të secilit individ, përfshirë këtu edhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si një nga të drejtat më fondamentale të një shoqërie demokratike, kjo e drejtë duhet të shërbejë për ta thënë çdoherë të vërtetën, e assesi nuk duhet që të keqpërdoret për të dezinformuar opinionin.

Deklarimet e deputetes së Kuvendit të Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, të dhëna gjatë ditës së djeshme më 18 mars 2019, në një konferencë për shtyp në lidhje me bartjen e pozitave të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi (këtë deklaratë e ka transmetuar edhe portali Koha.net - v.j) duke thënë ndër të tjera se ”si bartës i institucioneve të drejtësisë nuk po e zbaton ligjin”, duke iu referuar ushtrimit të funksioneve publike të kryeprokurorit të Shtetit, konsiderojmë se janë deklarata të paqëndrueshme, të pasakta dhe të njëjtat kanë për qëllim cenimin e integritetit të kryeprokurorit të Shtetit.

Ia kujtomë deputetes së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, por edhe publikut, opinionin juridik të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), të dhënë më 09.07.2018 në lidhje me kërkesën e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për ushtrimin e funksioneve publike, ku thuhet se; “Nuk ka konflikt interesi në ushtrimin e funksionit të kryeprokurorit të Shtetit dhe funksioneve; anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, anëtar/ kryesues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, anëtar i Bordit Drejtues të Njësisë së Inteligjencës Financiare, anëtar i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe nuk ka konflikt interesi të qenët kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës”.

Prandaj, Agjencia Kundër Korrupsionit ka konsideruar se të gjitha angazhimet shtesë të kryeprokurorit të Shtetit nuk janë në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e konfliktit të interesit.

Ushtrimi i këtyre funksioneve nga ana e kryeprokurorit të Shtetit është në harmoni me ligjet, të cilat i kanë miratuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe nëse mendoni që kryeprokurori i Shtetit nuk duhet t’i ushtrojë këto funksione, atëherë ju, si deputet, duhet t’i ndryshoni këto ligje. Si deputete e Kuvendit të Kosovës duhet të jeni shembull i mirë i respektimit të ligjeve dhe duhet t’i lexoni mirë vendimet e institucioneve dhe agjencive të tjera ligj-zbatuese, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lëshoheni në deklarata të tilla,, të cilat kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të institucionit të prokurorit të Shtetit.

Prokurori i Shtetit është institucion kushtetues, unik dhe i ndërtuar mbi parime kushtetuese dhe ligjore si i pavarur dhe i paanshëm. Mbi këto parime kam punuar edhe unë si kryeprokuror i Shtetit që nga momenti kur kam marrë detyrën. Andaj, të gjitha përpjekjet nga kushdo qoftë, përfshirë edhe ato politike, për të bërë presion të çfarëdo lloji në punën e prokurorit të Shtetit janë të pa pranueshme dhe ju garantoj se këto përpjekje do të dështojnë, përfundon sqarimi.

Bashkangjitur gjeni linkun e opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsionit

https://www.akk-ks.org/assets/cms/uploads/files/Opinionet/2018/Opinioni%20i%20Agjencisë%20drejtuar%20Kryeprokurorisë%20së%20Shtetit.pdf