Bisedimet Kosovë-Serbi duhet të ngrihen në nivel më të lartë, ka deklaruar për FoNet, shkrimtari e publicisti nga Kosova, Veton Surroi.
Ai ka shtuar se është shumë më me rëndësi që të bëhet një marrëveshje e qëndrueshme dhe e mirë se sa që procesi të përfundojë shpejt, ndërsa mendon se Kosova, si interes strategjik duhet të përcaktohet që Serbia të jetë më mirë.
Surroi ka sqaruar se është i nevojshëm një plan i realizueshëm që mund të implementohtet, ndërsa ka thënë se procesi i deritashëm i Brukselit është zhvilluar ashtu siç nuk është dashur.
“Për këtë nuk mund të fajësohen vetëm Prishtina e Beogradi”, ka thënë Surroi i cili angazhohet për një paradigmë të re të marrëdhënieve të Kosovës e Serbisë.
Marrëdhëniet e sotme ndërmjet dy vendeve Surroi i ka quajtur “gjendje e konfliktit të papërfunduar”.
Duke folur për Serbinë, Surroi e ka përkujtuar “riciklimin e gjuhës” nga mbledhje e Tetë e Komitetit Qendror të LK të Serbisë kur flitej për “të ashtuquajturit intelektualë ose për të ashtuquajturit demokratë”.
“Sot në Serbi dëgjohen fjalët i ashtuquajturi shtet, institucione të përkohshme, çdo gjë është e ashtuquajtur dhe nuk ka respekt bazik ndaj tjetrit, ndaj mendimit tjetër”, ka thënë Surroi, transmeton Koha.net.
Siç përcjell FoNet, Surroi Kosovën e ka përshkruar si “shtet feudal ku përqendrimi i forcës është në duart e një rrethi të caktuar njerëzish”, ndërsa mendon se “elitat e kriminalizuara kosovare përpiqen që diskursin ta bëjnë më modern se sa që janë vetë”.
“Edhe pse përdorin gjuhën e konfliktit, në fjalime publike nuk e mohojnë Serbinë dhe udhëheqjen e saj në mënyrën se si ajo bëhet këtu”, është cituar të ketë thënë Surroi.
Edhe pse procesi i Brukselit nuk është zhvilluar si duhet, dhe kjo jo vetëm për shkak të Beogradit e Prishtinës, Surroi është i bindur se “do të ishte kohë e humbur rinisja e të gjithave nga fillimi”.
“Ka qenë krejtësisht e gabueshme hyrja në bisedime me “letrën blanko në të cilën secili mund të shkruajë ç’të dëshirojë”, ka vlerësuar Surroi ndërsa mendon se bisedat duhet ngrehur në nivel më të lartë dhe se këtë e “kanë kuptuar lojtarë seriozë në Moskë, Washington, Londër, Berlin e Paris”.
Ka thënë se ky është edhe kuptimi i mesazhit të nënsekretarit amerikan Davide Hale se tani është “rasti unik që të zgjidhet problemi”.
“Është animuar edhe presidenti amerikan që të përfshihet, të dërgojë letra dhe kjo e krijoi momentumin e pjesë e politikës është edhe momentumi i vërtetë”, ka vlerësuar Surroi.
Ka pohuar se Vuçiqi e Thaçi në ndërkohë janë përpjekur me shpejtësi për këmbim territoresh, gjë që, sipas tij, është skenar i tmerrshëm, i pazbatueshëm, “sepse ne në Kosovë e kundërshtojmë, edhe shumica serbe e edhe shumica shqiptare”, ka thënë ai.
“Nëse korrigjimi i kufijve vetëkupton numërimin e serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë, atëherë fjala është për korrigjim etnik dhe përpjekje për t’i hequr qafe serbët e shqiptarët dhe të jetojmë në meset homogjen”, ka dëshmuar Surroi.
“Ky është skenar i tmerrshëm, me të cilin kemi pasur përvojë në Bosnjë e në Kroaci”, ka tërhequr vërejtjen ai dha ka porositur se “projekti duhet të jetë i zbatueshëm e të ketë mundësi implementimi” pasi tashmë kemi marrëveshjen e Brukselit që nuk mund të implementohet”.
“Për shembull, ka qenë joserioz nënshkrimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe pastaj të mos zbatohet. Kemi njeriun joserioz që nënshkruan gjëra pa përgjegjësi”, ka thënë Surroi.
I pyetur për deklaratën e Federica Mogherinit se marrëveshja Serbi-Kosovë do të verifikohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ai është përgjigjur se Bashkimi Evropian, një herë e arritur Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet ta kthejë atë në Asamble të Përgjithshme të OKB-së e pastaj edhe në KS të OKB-së, meqë mandatin për këto negociata e ka marrë nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Për këtë duhet të njoftohet Këshilli i Sigurimit, ka saktësuar Surroi i cili mendon se BE-ja i ka lëshuar krejtësisht frerët në negociata.
Ai ka thënë se vizitat dhe këshillimet e shpeshtuar nga shtete të ndryshme tregojnë se ka filluar faza e “ngrohjes për diçka më serioze”.
Çelësi është “bërja e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe gjetja e mënyrës që të mundësohet krijimi i hapësirës së lirisë në gjithë rajonin në vend të hapësirës së konfliktit”, ka theksuar Surroi.
Ai ka thënë se “është e nevojshme që rajoni të transformohet në një hapësirë të lirë komunikimi, respektimi të ndërsjellë, lëvizjes së lirë të mallrave, konkurrencës së lirë, lirisë së investimeve”.
Gjithashtu, ka theksuar se është me rëndësi që vetë procesi i bisedimeve të bëhet më i fuqishëm, më kreativ, më inteligjent, më përgjegjës dhe të shikohet se kush “brenda BE-së ngrihet në nivel më të lartë”.
Surroi parasheh që kjo sigurisht nuk do të ndodhë me këtë Komision Evropian por me të riun që do të formohet pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.
“Duhet që dikush serioz ta përcjellë këtë proces, e nëse ai nuk përfundon brenda vitit, aq më mirë”, ka thënë Surroi duke thënë se qëllimi nuk duhet të jetë koha, por cilësia e marrëveshjes.
“Neve BE-ja nuk mund të na i zgjidhë marrëdhëniet e ndërsjella, hyrja në BE, edhe në skenarin më të keq për 20 ose 30 vjet, është vetëm vlerë e shtuar”, ka saktësuar Surroi.
“Hyrja në BE nuk na e heq përgjegjësinë për ta gjetur zgjidhjen dhe për ta përfunduar konfliktin, sepse kjo është nevojë e brendshme e shoqërive tona të cilat ky konflikt po bren nga brenda”.
I pyetur se kush në Kosovë ka kapacitet të hapë paradigmë të re në marrëdhëniet e dy palëve, Surroi ka përmendur “shoqërinë civile, mediet dhe një pjesë e opozitës që e kupton këtë”.
Ai ka thënë se shoqëria kosovare është më e ndryshme nga ç’shihet prej Beogradit dhe se pos kapadainjve e fjalimeve jo inteligjente, ka shumë njerëz të arsyeshëm e të mençur.
Surroi nuk e di çfarë ka llogaritur Haradinaj kur ka vendosur për taksën, por ka vërejtur se me këtë vendim janë pajtuar të gjithë e edhe Thaçi, ndërsa mendon se ajo është ilustrim i “gjendjes anormale”.
“Po e tillë është edhe Platforma, e cila miratohet pas kaq vite bisedimesh joserioze në Bruksel për të cilat janë fajtorë janë jo vetëm Beogradi e Prishtina, por edhe BE-ja e ndërmjetësimi i saj”, ka thënë Surroi, përcjell Koha.net.
Nga njëra anë, ka shtuar ai, ka pasur iluzione se ndonjë tregtie e lirë do të normalizonte marrëdhëniet, sepse eksporti i Serbisë në Kosovë është rritur, por marrëdhëniet nuk kanë qenë në përputhje me këtë.
“Përkundrazi, marrëdhëniet janë përkeqësuar dhe kemi arritur deri te moleri dhe ‘bandë, sikter’, përkatësisht te përshkallëzimi i retorikës të dy palëve gjë që tregon për nevojën që marrëdhëniet të zgjidhen në tërësi” ka thënë ai.
Surroi nuk mendon se Kosova merr qortime të buta nga SHBA-ja dhe vendet e BE-së për shkak të taksës, të cilën ai e sheh vetëm pjesë të mozaikut që duhet të ndryshojë”.
Ai mendon se “nuk është esenciale se si të hiqet taksa, por si të realizohet hapësira e tregtisë së lirë, e cila duhet të jetë pjesë e këtij procesi paqësor”.
Duke e sqaruar angazhimin për paradigmë të re në marrëdhënie, Surroi thënë se duhet dalë nga mantra “që fqinjit i ngordhtë lopa”.
“Sa për ilustrim, duhet dëshiruar që ‘Serbia ta fitojë Volkswagenin’, krahas një letre përkrahëse nga Qeveria e Kosovës, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina të cilat mund të jenë të interesuara për bashkëpunim e kooperim të ardhshëm”, ka thënë ai.
Në këtë kontekst, Surroi ka theksuar se “Kosova si interes strategjik duhet ta definojë që Serbia të jetë më mirë, që Serbia të jetë demokratike, e pasur, evropiane, prosperuese dhe e lumtur”.
Në fund, Surroi ka saktësuar se “interesi strategjik i Kosovës është që fqinji të jetë më mirë se sa që është, sepse kjo është mënyra që të realizohet liria rajonale në lëvizjen e njerëzve e të kapitalit, të mallrave dhe të investimeve”.