Arbëri

Haradinaj: Qeveria e përkushtuar për të çuar përpara agjendën për reformat në vend

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar sot shefin e OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jan Braathu dhe shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me të cilët ka biseduar për proceset zhvillimore në vend, me theks reformën zgjedhore.

Haradinaj me këtë rast ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për reformat e përgjithshme në vend, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, zhvillimin ekonomik, reforma këto të cilat do të jenë në shërbim të forcimit dhe rolit demokratik të institucioneve të vendit.

Gjatë takimit, kryeministri ka falënderuar institucionet e BE-së për rolin e tyre dhe ndihmën që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin në procesin e reformave të përgjithshme në Kosovë, në të njëjtën kohë ka kërkuar mbështetjen e mëtejme për procesin e reformës zgjedhore, përmes së cilës do të garantohej një gjithëpërfshirje politike dhe përfaqësim adekuat gjinor dhe etnik.

Duke theksuar orientimin euroatlantik të Kosovës, kryeministri Haradinaj vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe është duke punuar me përkushtim në përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane dhe përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.