Kryeministri i Maqedonisë së Veriut arriti për vizitë zyrtare në Shqipëri

Rama kërkon shtrirjen e “Rrugës së Arbrit” deri në Shkup

13 March 2019 11:10
12:38

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Gjatë një konferencë të përbashkët me homologun e tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se është rritur ndjeshëm tregtia mes dy vendeve, ndërsa theksoi se shtrirja “Rrugës së Arbrit” në segmentit Bllacë-Shkup është nevojë strategjike.

“Janë shumë gjëra që mund të bëjmë bashkë. Shikojmë një rritje të ndjeshme të volumit tregtar mes dy vendeve. 11% në vitin e kaluar është shumë pak në krahasim me mundësitë tona, me potencialin por është shumë krahasuar me më parë. Ashtu sikundër një sërë veprash në infrastrukturë na bashkojnë në interes të përbashkët. Ne jemi në kantier në rrugën e Arbrit dhe shtrirja në segmentit Bllacë-Shkup është një nevojë strategjike dhe sigurisht sipas mundësive dhe planeve të qeverisë suaj do hyjë në proces në momentin e duhur që kam besim do jetë jo i largët”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Rama shtoi se “Modeli Shengen” duhet të aplikohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm me Kosovën.

Ai u shpreh se herët a vonë qytetarët do hyjnë dhe dalin në kufijtë e Maqedonisë dhe Shqipërisë pa asnjë pengesë.

“Modeli Shengen duhet të shtrihet në të gjithë rajonin me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi me bindjen se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në këtë proces. Kufijtë e vendet tona duhet të jenë po aq fluidë saç janë kufijtë në Bashkimin Evropian. Nëse këtë gjë do të duhet ta bëjmë me anëtarët e BE, askush nuk na pengon ta bëjmë mes nesh sot, jo nesër. Herët a vonë do iu japim mundësinë qytetarëve të hyjnë dhe dalin në të dyja shtetet pa asnjë pengesë, kontroll, pa asnjë problem ashtu siç hyjnë dhe dalin në vendet e tyre qytetarët e BE”, u shpreh Rama.

Mbledhja e përbashkët të dy qeverive pritet të mbahet në verë.

12:32

Zaevi, opozitës shqiptare: Ju kuptoj që protestoni, por obligimi i të gjithëve është shteti

“Në asnjë rast, nuk duhet cenuar e ardhmja integruese e vendit në Bashkimin Evropian”, deklaroi sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë.

Duke iu referuar protestave të opozitës në Tiranë, Zaev tha se “nuk isha në opozitë para 100 vjetësh, janë thjesht 21 muaj më parë isha në opozitë, por nuk lejuam të japim përshtypjen para evropianëve se jemi kundër fillimit të bisedimeve të vendit tonë me BE-në”.

“Ne jemi miq të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, dhe i dëshirojmë të mirat popullit shqiptar. Vijmë si miq dhe japim mesazhin paqësor që nëpërmjet dialogut të ketë zgjidhje”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut .

“Siç e thash, ne ishim opozitë para 21 muajsh, ky nuk është larg për t’u kujtuar se çfarë ndodhi madje të bëjmë paralele me vendin tuaj. Ne jemi miq të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, por në kohën kur unë isha opozitë raportet e SHBA-së, BE-së flisnin për një regjim hibrid në Maqedoni, gjatë asaj kohe e drejta e proceseve demokratike ishte e mundur, njëjtë si në Shqipëri, por ku flisja me Hahnin, Mogherinin, me gjithë lidershipin e evropian, lusja për vendin tim që t’u jepet datë e bisedimeve pasi ky ishte qëllim i vendit tim pa dallim të konfrontimeve tona si shtet”, deklaroi Zaev.

Ai theksoi se “e kuptoj opozitën kudo qoftë ajo, por obligimi i të gjithëve është shteti, dhe për shkak të kësaj ekzistojmë si opozitë. Si mik i Shqipërisë dëshiroj të mirat për këtë vend miqësor, për këtë popull miqësor. Çdo kush ka të drejtën e demonstrative”.

12:00

Rama: Maqedonia e Veriut, shtet strategjikisht i pazëvendësueshëm për Shqipërinë

Një shtet mik dhe strategjikisht i pazëvendësueshëm e ka cilësuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Republikën e Maqedonisë së Veriut, në konferencën e përbashkët për media pas takimit me homologun e tij Zoran Zaev i cili po qëndron për një vizitë njëditore në Tiranë.

Rama theksoi se kjo vizitë vjen në momentin e një arritjeje madhështore historike, siç e cilësoi marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimin e emrit të Maqedonisë në atë të Veriut si dhe nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit në NATO.

“Vini në Tiranë pas një arritjeje historike madhështore që është frut i lidershipit tuaj dhe i lidershipit të mikut tonë të përbashkët, kryeministrit Tsipras, marrëveshjes së Prespës e cila i dha fund një ngërçi shumëvjeçar, hapi rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe çliroi energjinë e madhe pozitive për ecurinë e mëtejshme në rrugën e përbashkët të integrimit në BE”, tha Rama, duke shprehur kënaqësinë që Shqipëria, “siç i takonte, ishte ndër të parat që ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO”, transmeton ATSH.

“Për ne, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një vend fqinj, por një shtet mik dhe strategjikisht i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm, marrëdhëniet me të cilin kultivohen tanimë përmes parimeve dhe vlerave më të mira që na bashkojnë si dy vende që i përkasin Evropës dhe që do të jenë së bashku në tryezën e familjes evropiane”, theksoi Rama.

11:10

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut arriti për vizitë zyrtare në Shqipëri

Tiranë, 13 mars - Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me një delegacion qeveritar po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është pritur me një ceremoni zyrtare nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Zaev dhe Rama pas takimit mes delegacioneve do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat, ndërsa në fokus të diskutimeve janë marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimi rajonal, si dhe mbështetja e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Pjesë e delegacionit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut janë edhe ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe zyrtarë të tjerë.

Kryeministri Zaev është parashikuar të takohet sot edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Kujtojmë se Shqipëria është në mesin e vendeve që kanë ratifikuar protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Institucionet e Shqipërisë kanë mbështetur në vazhdimësi proceset në kuadër të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës e deri tek nënshkrimi i protokollit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme