Arbëri

Dëmet nga zjarret në pyje shumëdimensionale, alarmojnë ekspertët e bujqësisë

Në pyjet e Deçanit konkretisht te mali i Gështenjave ende ka mbetur tymi nga zjarri, i cili përfshiu të dielën këtë zonë.

Por, kjo është një pjesë e pyjeve që janë dëmtuar nga djegia gjatë 24 orëve të fundit në qytete të ndryshme të Kosovës, raporton KTV.

Vetëm në komunën e Deçanit, 20 hektarë të pyjeve janë djegur.

E gjitha nisi nga vënia e zjarrit për pastrimin e fushave dhe tokave private, por erërat e forta kanë bërë që zjarri të shpërndahet.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, thotë se ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve ka ndihmuar që të mos ketë pasoja në njerëz.

Ramosaj thotë se ende nuk mund të flasin për vlerën e dëmeve, pasi nuk kanë një raport përfundimtar.

Por, në fakt, efektet nga zjarret, që qytetarët ndezin për të larguar barishte të ndryshme nga tokat e tyre, janë të dëmshme edhe për tokën bujqësore dhe ambientin.

Djegie të maleve janë shkaktuar edhe në Suharekë dhe Ferizaj.

Zyrtarët komunalë të Ferizajt kanë apeluar te qytetarët që të mos shkaktojnë zjarre të qëllimshme, kanë bërë të ditur se vetëm gjatë pjesës së parë të këtij muaji, janë shënuar 100 raste të zjarr-vënies.

Zjarrvënia është e sanksionuar me ligj dhe në raste të tilla, aplikohen gjobat, por kur ka dëme të mëdha materiale, Kodi Penal parasheh edhe dënime me burgim.

Shkaku i këtyre incidenteve, edhe Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos të ndezin zjarre në vende të hapura, për shkak të rrezikut të përgjithshëm.