Arbëri

Nis projekti i Urës së Madhe mbi Liqenin e Fierzës

Konsorciumi “Salillari&Kastrati”, që ka marrë me koncesion për 30 vjet Rrugën e Kombit, krahas vjeljes së tarifës për kalimin në këtë rrugë ka filluar edhe projektet që mungojnë dhe që ka marrë përsipër t’i ndërtojë në bazë të kontratës që ka me Qeverinë shqiptare.

Rrethimi i rrugës, mbikalimi i Fushë-Dukagjinit dhe disa mbikalime të vogla përgjatë rrugës Kukës-Morin janë disa nga veprat tashmë të filluara. Por projekti më i rëndësishëm që do të financojë kompania koncesionare është Ura e Madhe mbi Liqenin e Fierzës në afërsi të qytetit të Kukësit. Projekti për ndërtimin e kësaj ure ka përfunduar në vitin 2009 nga kompani projektimi shqiptaro-kroate, por që nuk është zbatuar për mungesë financimi, raporton Koha Ditore.

Këto ditë kanë filluar punimet për ndërtimin e dy bazamenteve të këmbëve të urës dhe studimi gjeologjik. Burime të kompanisë koncesionare “Salillari&Kastrati” kanë bërë të ditur për “Kohën Ditore” se vetë ajo, megjithëse e specializuar për ndërtimin e urave, nuk do ta ndërtojë urën mbi Liqenin e Fierzës, për vetë specifikën e saj, e cila do të jetë me dy këmbë dhe me harqe, dhe aplikohet për herë të parë në Shqipëri bashkë me Urën e Vashës në Rrugën e Arbërit.

Ura në bazë të projektit do të jetë e gjatë 280 metra,dhe do të jetë vetëm me dy këmbë, ku hapësira në mes dy këmbëve që në gjuhen teknike quhet HD (hapësirë drite) do të jetë 140 metra. Ura mbi Liqenin e Fierzës në hyrje të qytetit të Kukësit është një ndër veprat më të vështira inxhinierike në autostradën Durrës-Kukës-Morin, pas tunelit të Kalimashit. Megjithëse projekti ka qenë i gatshëm prej 9 vjetësh, ky projekt nuk është zbatuar për mungesë financimi. Kostoja e këtij projekti shkon në afro 15 milionë euro.

Bëhet e ditur se koncesionari ka propozuar disa ndryshime të vogla në projekt, ku pas ndryshimeve nuk do të ndërtohet tuneli i planifikuar në dalje të urës për në Kosovë, por ura do të devijojë për t’u lidhur me rrugën katërkalimëshe. Me ndërtimin e urës së madhe në Liqenin e Fierzës, ura ekzistuese e Kukësit do të jetë njëkalimëshe dhe do të shërbejë vetëm për automjetet në dalje të Kukësit që udhëtojnë drejt Tiranës.