Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiq: “Bandë e Prishtinës, sikter”

Platforma e Kosovës për dialog me Serbinë e ka hidhëruar shumë presidentin e këtij vendi Aleksandar Vuçiq, transmeton Koha.net.

Ai dje, gjatë tërë ditës, nuk e ka lëshuar nga goja Kosovën dhe shqiptarët e saj dhe gjatë tërë kësaj kohe jo pak herë ka përdorur fjalë fyese kundër klasës politike të Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Klasën politike të Kosovës, Vuçiqi e ka quajtur bandë. Madje, ka kërkuar edhe largimin e kësaj klase politike.

“Bandë e Prishtinës, sikter”, ka thënë ai me zemërim dje gjatë një tubimi me elektoratin e vet, njofton agjencia serbe e lajmeve tanjug

Gazeta e Beogradit “Politika” sot në ballinën e vet ka botuar fjalimin e tij me titull “Bandë e Prishtinës, sikter (jashtë) me atë dokument”. Me “dokument“ Vuçiqi, sipas gazetës serbe, i referohet Platformës së Kosovës për dialog me Serbinë, të cilën, ka thënë ai, Serbia nuk do ta pranojë.

Vuçiqi nuk është ndalur me akuza vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ai e ka akuzuar edhe Bashkimin Evropian. “Rrenacakë”, i ka quajtur politikanët e BE-së.

“Ata më patën premtuar se në Kuvendin e Kosovës nuk do të miratohet Platforma”, ka thënë ai.

“Më kanë rrejtur, gënjeshtarët “, ka shfryrë mllefin Vuçiqi.

Për Platformën e miratuar e ka akuzuar edhe Slobodan Petroviqin, liderin e Partisë së Pavarur Liberale.

E ka quajtur “tradhtar”, sepse, ka thënë ai, me votimin e tij Kuvendi i Kosovës ka bërë 61 vota dhe Platforma për dialog ka kaluar.

“Serbia nuk do ta pranojë këtë Platformë. Serbia nuk është as e vogël dhe as e dobët siç mendojnë në Kosovë dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë”, është kërcënuar në fund Vuçiqi.