Arbëri

Gjatë shkurtit në Kosovë janë shqiptuar 106 gjoba mjedisore

Descriptive Text

Gjatë muajit shkurt janë shqiptuar 106 gjoba për ndotësit e mjedisit nga inspektorët komunalë dhe qendrorë në të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas monitorimit të Organizatës Let’s Do It Kosova, krahasuar me gjobat e muajit janar, në shkurt janë shqiptuar 17 gjoba më pak nga 106 sa ishin shqiptuar në janar, shkruan Koha.net.

Sipas njoftimit më së shumti gjoba janë shqiptuar nga inspektorë të Ministrisë së Mjedisit, ndërkaq listës së komunave për shqiptim të gjobave i prin komuna e Pejës me 24 sosh.

Ndërkaq nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara ishte ai për hedhjen e mbeturinave dhe materialeve ndërtimore jashtë vendeve të caktuara. Edhe gjatë muajit shkurt, disa nga problemet e identifikuara nga inspektorët për zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ kanë qenë mungesa e automjeteve, që u duhen inspektorëve për të kryer inspektimin, si dhe mungesa e blloqeve për shqiptimin e gjobave, thuhet në njoftimin e dërguar medieve.

Njoftimi i plotë:

Organizata Let’s Do It ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunalë mjedisorë dhe qendrorë dhe shqiptimin e gjobave për ndotësit. Sipas të dhënave të monitorimit, rezulton se në të gjitha komunat e Kosovës gjatë muajit shkurt janë shqiptuar 106 gjoba. Krahasuar me të dhënat e muajit janar [123], këtë muaj janë shqiptuar 17 gjoba më pak [106], përderisa gjatë muajit dhjetor ishin shqiptuar 84 gjoba, ndërsa gjatë nëntorit ishin shqiptuar 89 gjoba.

Bazuar në monitorimin e Let’s Do It Kosova, del se gjatë shkurtit më së shumti gjoba kanë shqiptuar inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, gjithsej 47 gjoba për ndotësit e mjedisit. Ndërsa, listës së komunave për muajin shkurt u prin komuna e Pejës, me 24 gjoba të shqiptuara, pasuar nga komuna e Prizrenit, inspektorët e së cilës kanë shqiptuar gjashtë gjoba gjatë shkurtit. Lista vazhdon me komunën e Ferizajt, Klinës dhe Deçanit, të cilat kanë shqiptuar nga katër gjoba gjatë shkurtit.

Tri gjoba për ndotësit e mjedisit i ka shqiptuar komuna e Suharekës, ndërsa nga dy gjoba kanë shqiptuar komunat Vushtrri, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë dhe Rahovec. Ndërsa, nga një gjobë kanë shqiptuar komunat si Shtime, Lipjan, Skenderaj dhe Drenas. Ndërkohë, komunat që nuk kanë shqiptuar fare gjoba gjatë muajit shkurt janë: Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Podujeva, Vitia, Kamenica, Kaçaniku, Hani i Elezit, Istogu, Juniku dhe Malisheva. Nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara ishte ai për hedhjen e mbeturinave dhe materialeve ndërtimore jashtë vendeve të caktuara. Edhe gjatë muajit shkurt, disa nga problemet e identifikuara nga inspektorët për zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ kanë qenë mungesa e automjeteve që u duhen inspektorëve për të kryer inspektimin, si dhe mungesa e blloqeve për shqiptimin e gjobave.

Dukuri shqetësuese mbetet fakti se inspektorët raportojnë se nganjëherë nuk mund të shqiptojnë gjoba, shkak i afërsisë që kanë ndotësit. Udhëzimi Administrativ për Gjoba Mandatore është nënshkruar gjatë fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, dhe ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit dhe shëndetin e njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimit të mbeturinave. Let’s Do It ju njofton se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të gjitha të dhënat.