Arbëri

Nis ndërtimi i urës së re të Rrugës së Kombit, përfundon në 2021

Prej pak ditësh ka nisur puna për ndërtimin e urës së re të rrugës së Kombit. Investimi që kap vlerën e 50 milionë eurove po bëhet nga kompania konçesionare e kësaj rruge dhe pritet të përfundojë në vitin 2021.

Ura e re e Rrugës së Kombit ka nisur së ndërtuari. Ajo do të zëvendësojë urën ekzistuese mbi lumin Drin i Zi e zhvendosur rreth 100 metra skiç në anën lindore të saj.

Burimet e kompanisë koncesionare, thonë për ABC News se do të jetë 310 metra e gjatë, me katër korsi dhe investimi për këtë projekt kap vlerën e 50 milionë eurove.

Ura do të jetë një vepër arti arkitekturore, me dy bazamentet prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa gjatësia e saj do të jetë konstruksion metalik me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme.

Makineritë sapo kanë nisur nga puna dhe punimet pritet të përfundojnë në pranverën e vitit 2021.

Ura ekzistuese do të kthehet në një relike që ka shërbyer për më shumë se 45 vitesh dhe nuk do të ketë lidhje as me autostradën as me rrugë dytësore.

Për hyrjen e qytetit të Kukësit, do të dakordohet me Bashkinë e Kukësit.