Arbëri

Selimi: Mbi trupin e Thaçit të shtrirë e të përkulur, kalon shumëçka

Njeriu që vetë kishte proklamuar idenë e ndryshimit të kufijve, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dje tha se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm mbi trupin e tij të vdekur.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka komentuar deklaratat e presidentit të vendit, lidhur me temën e ndërrimit të kufijve.

E për deklaratën se “pa shkelur mbi trupin e tij”, nuk mund të cenohet territori i Kosovës, Selimi ka thënë se “mbi një trup të shtrirë e të përkulur, sikur ai i Thaçit, kalon shumëçka”.

Në llogarinë e tij Facebook, Rexhep Selimi ka thënë se kufijtë e Kosovës janë në rrezik.

Shkrimit të tij, Selimi ia ka bashkangjitur edhe një fotografi të Thaçit, e realizuar dy vjet më parë në fshatin Grackë të Lipjanit, ku Thaçi vendosi kurora me lule në një pllakë përkujtimore të serbëve.

Image

Ky është postimi i Selimit:

Në Samitin e Diasporës që u mbajt dje në Tiranë, 'presidenti i Kosovës' deklaroi: “se unë nuk lejoj pa kaluar mbi trupin tim, të ndryshohet kufiri i Kosovës”.

Pra, ai citoi një thënie popullore por me një ndryshim të vockël...

Thënia së cilës iu referua pjesërisht Thaçi thotë: "pa kaluar mbi trupin tim të vdekur..."

Siç duket Thaçi e paska pasur fjalën se "pa kaluar mbi trupin e tij të gjallë nuk ndryshohen kufijtë e Kosovës".

Po del se kufijtë prapë qenkan në rrezik, sepse mbi një trup të shtrirë e të përkulur, sikur ai i Thaçit, kalon shumëçka..