Arbëri

“Turqia do ta vazhdojë mbështetjen për FSK-në”

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Rrustem Berisha, ka pritur sot në një takim njohje, ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Me këtë rast, Berisha fillimisht i uroi detyrën ambasadorit Sakar si dhe e njoftoi atë me procesin e tranzicionit të FSK-së dhe punën e madhe për ngritjen e kapaciteteve të parapara me planin e tranzicionit.

“Votimi unanim i Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në nga ana e Kuvendit të Kosovës, ka qenë një ngjarje historike për Kosovën dhe FSK-në. Ky votim ka treguar edhe njëherë për besimin e madh që ka Ushtria e Kosovës, tek të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim nacionaliteti dhe etnie“, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se janë të përkushtuar në realizimin e misionit si forcë multietnike dhe profesionale, që do të jetë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.

“Përkrahja e shtetit turk për Kosovën në përgjithësi dhe në veçanti për FSK-në, është shumë i rëndësishëm, dhe unë ju falënderoj për përkrahjen e deritanishme duke besuar se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe më tej, nga ana e Turqisë”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, ambasadori i Turqisë, Çagri Sakar, ia përcolli edhe një letër urimi, për miratimin e ligjeve për MM dhe FSK-në, nga ministri i Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.

“Turqia do të vazhdojë me përkrahjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si me përkrahje financiare për ushtrinë, ashtu edhe me programet për shkollimin dhe trajnimin e oficerëve dhe ushtarëve të FSK-së në akademitë ushtarake turke”, tha thënë Sakar.

Ai gjithashtu ka njoftuar se ministri i Mbrojtjes së Turqisë, së shpejti do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.