Arbëri

Zëdhënësi i CDU/CSU thotë se s’ka pse të refuzohet ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi

Foto: CduCsu

Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikat evropiane, Florian Hahn, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi.

Hahn, në një intervistë për DW, ka thënë se nëse Kosova dhe Serbia pajtohen që zgjidhja mes tyre është edhe tek ndryshimi i kufijve, atëherë “bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë”.

“Me ndryshimin e kufijve duhet vepruar me shumë kujdes, por personalisht mendoj, dhe ky është mendimi im personal, se kur dy shtete sovrane bien dakord të ndryshojnë një kufi të përbashkët mes njëri-tjetrit dhe kur ato janë në gjendje të mbajnë përgjegjësinë për vendin e tyre, atëherë mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë”, ka thënë Hahn në këtë intervistë me DW.

Ai ka thënë se shteti i tij dëshiron që kjo marrëveshje të ngërthehet me njohjen reciproke të sovranitetit.

“Ky është mendimi im personal. Më lejoni ta them përsëri: Nëse dy shtete sovrane bëjnë një ujdi me njëri-tjetrin dhe ata janë në gjendje të mbajnë secili përgjegjësi për vendin e vet, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë marrëveshje. Ne duam, sigurisht, që kjo marrëveshje të ngërthehet me njohjen reciproke të sovranitetit. Nëse kjo është e lidhur me të dhe nëse vendet e tjera pajtohen me ndryshimin e kufirit, atëherë unë së paku mendoj se kjo marrëveshje nuk ka përse të refuzohet në vend”, ka thënë më tej ai.